Deputetja Sarandës: Lulzim Basha, lideri që do të sjellë fitoren në PD
E ftuar në edicionin e lajmeve në Dritare TV ishte deputetja e PD e zgjedhjeve të 25 prillit, Ina Zhupa për të treguar rreth zhvillimeve të fundit për zgjedhjet brenda Partisë Demokratike që pritet të mbahen në datë 13 qershor. Ajo u shpreh se lideri që mbështet është Lulzim Basha, pasi vetëm ai mund të sjellë fitore për Partinë Demokratike.
“E kam ndjekur fushatën e kandidatëve për zgjedhjet brenda PD, por fatkeqësisht kemi tre kandidatë që po bëjnë një fushatë vetëm kundër Lulzim Bashës dhe për ta sulmuar atë. Nga ana tjetër kemi Lulzim Bashën, i cili vjen me një projekt për demokratët. Ai u përball me këtë qeverisje që i ka të gjitha pushtetet dhe mori mijëra vota të qytetarëve, të cilët e besuan alternativën e tij për ndryshim.
Prandaj Lulzim Basha duhet t’i shkojë deri në fund kësaj beteje politike dhe kundërshtarët duhet ta ndalin retorikën kundër tij. Retorika kundër Lulzim Bashës nuk i vlen Partisë Demokratike, pasi demokratët duhet të jenë të bashkuar drejt alternativës që na çon në fitore. Lulzim Basha është e vetmja alternativë reale që mund të arrijë fitoren.
Shqiptarët e mbështetën me votën e tyre si qytetarë të lirë, pasi vetëm me projektin e tij kemi mundësi të qeverisim vendin dhe programin ta vendosim në zbatim për të gjithë shqiptarët. Departamenti i Shtetit Amerikan duhet të provojë akuzat për shpalljen non-grata të zotit Berisha. Qasja jonë pro amerikane si Parti Demokratike nuk ndryshon pavarësisht vendimit ndaj zotit Berisha.”,-u shpreh Zhupa.