“Kisha 7 vjet pa e parë Sarandën”, Anila Denaj: Nuk e di a do jem ministre
Pyetjes nëse do të jetë sërish ministre e Financave në 4-vjeçarin e ardhshëm, Anila Denaj iu përgjigj duke thënë se ky vendim është në dorë të kryeministrit Edi Rama.
Përmes emisionit “Arnautistan” në MCN TV, Denaj tha se ajo plotësoi numrin e votave për të qenë pjesë e parlamentit të ardhshëm dhe se prekja me realitetin nëpërmjet fushatës do të përcaktojë detyrat e saj në 4 vitet e ardhshme.
“Nuk është e sigurt nëse do jem ministre për 4 vitet e ardhshme. Kjo është në dorë të kryeministrit Rama. Të gjithë e quajnë rolin tim teknik sepse merrem me shifrat, por nuk është vetëm teknik.
Fushata së pari më njohu me zonën përpara se të drejtoja fushatën, por edhe muaj më parë kisha nisur fushatën dhe kisha parë qytetin në një kënd më afër.
Pata 7 vite pa shkuar në Sarandë. Fushata është komunikim dhe një nga elementët e energjisë ka të bëjë me atë që të ngarkon ky komunikim.
Të dy palët trajtojnë problematikat e tyre, por nevoja për ne është të kuptonim problematikat e tyre. Mua më pëlqen që rezultatin ta marr pas pune dhe rezultatin e markova në këtë formë.
Unë e plotësova numrin e votave. Kjo prekje me realitetin do përcaktojë detyrat e mia në katër vitet e ardhshme.”, tha Denaj.