Gjyqtari i Sarandës Sokol Pina kalon me sukses vetingun
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të martën vendimin për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, Sokol Pina.
Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar të premten më 23 prill, nuk u evidentuan probleme në asnjë prej kritereve të rivlerësimit.
Trupa gjyqësore që kreu procesin e rivlerësimit për gjyqtarin Pina kryesohej nga Firdes Shuli, me relator Lulzim Hamitajn dhe anëtar Roland Ilian.
Sokol Pina përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2014 dhe punoi fillimisht si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës. Prej vitit 2015, ai e ka ushtruar funksionin në Gjykatën e Rrethit Sarandë, ndërkohë që në nëntor të vitit 2020 është deleguar në Apelin e Gjirokastrës.