Basha në Vlorë: Të dielën Rama largohet
Kreu i PD, Lulzim Basha ka deklaruar para qytetarëve të Vlorës se Rama më 25 prill, të dielën largohet bashkë me kriminelët.
Basha thotë se Rama nga paniku këto ditët e fundit i është kthyer sërish marifeteve të vjetra, por ai siguron se shqiptarët më 25 prill, me paqe e vendosmëri do të shkojnë masivisht tek kutitë e votimit. Ai shton se fitorja e PD më 25 prill do i takojë gjithë shqiptarëve, demokratëve dhe socialistëve kokëulur.
“Orët e të keqes po mbarojnë. E diela do të jetë dita e fitores më të thellë dhe më të bukur. E pjesëmarrjes më të madhe, paqësore, dinjitoze, për të vendosur, për t’i thënë Ramës boll më, boll më shkatërrim, dhe autorit të shkatërrimit dhe të hapin zemrat për ndryshimin. Nga paniku Rama i është kthyer marifeteve të vjetra, me shpresën e rrënuar. Ne jemi bashkë, krah për krah, me gëzimin, me besimin tek e nesërmja që po vjen, për shqiptarët, për Shqipërinë.
Bashkë do të vazhdojmë, si qytetarë dinjitozë, me paqe e vendosmëri, për të sjellë ndryshimin masivisht në kutitë e votimit. Një zgjim i ri ekonomik dhe një zgjim kulturor, një zgjim atdhetar, një zgjim europian po troket në derë, vetëm 3 ditë për t’u ndarë nga e keqja, për fitoren më të thellë të Vlorës e mbarë Shqipërisë. Fitore që do i takojë çdo shqiptari, çdo të riu e të reje”, u shpreh Basha.
Basha ka folur në Vlorë edhe për video-përgjimin e publikuar për kreun e Kadastrës, Artan Lame duke theksuar se Rama tashmë do të prishë 110 mijë shtëpi.
Ai thotë se përsëri Rama do të gënjejë shqiptarët me legalizimet, por pas 25 prillit nuk mban asnjë premtim, por u kthen shpinën shqiptarëve. Basha i bën thirrje qytetarëve të Vlorës që mos ia hapin derën dështimit për herë të tretë.
“110 mijë shtëpi po bëhen gati për t’i prishur ai, kërkon votën për legalizimet, por ‘ska ndërmend t’i legalizojë, por t’i prishë. Siç bëri me Astirin. Ky është Edi Rama i vërtetë, premton për votën, dhe të nesërmen jo vetëm nuk e zbaton por ia kthen shpinën”, tha Basha.