Basha në Delvinë: O socialistë bashkohuni me mua
Delvina ishte stacioni i dytë i kreut të PD-së Lulzim Basha që do të përshkojë sot 9 qytete të Shqipërisë, në shenjë simbolike me numrin që mban kjo forcë politike në fletën e votimit.
Basha u bëri thirrje “socialistëve të ndershëm” që t’i bashkohen ndryshimit, ndërsa u shpreh se kryeministri në ikje i la në baltë fermerët dhe rrugën Kardhiq-Delvinë.
Kryedemokrati u angazhua se do të mbështesë fermerët, ndërsa tha se Rama e bëri naftën më të lirë për jahtet se sa për ta.
“Banorë fisnikë të Delvinës së krenarisë së të parëve tanë, Delvinës, kësaj bashkësie njerëzish të mrekullueshëm, të qetë, punëtorë, që kanë ditur t’i japin kaq shumë vendit tonë. Jam i lumtur që ndodhem sot këtu, në rrugëtimin tonë nga Jugu në Veri, sot nga Saranda në Tropojë. Në 9 ndalesa, njësoj si shifra jonë, numri ynë, 9 e ndryshimit në 25 prillit. Kudo ku kam qenë prek entuziazmin për ndryshim. Prek padurimin e fermerëve për ndryshim. Prek padurimin ë baballarëve për ti mbajtur këtu fëmijët e tyre, dhe padurimin e të rinjve sepse ora po vjen, për ta hapur rrugën e Shqipërisë si gjithë Europa. Ndryshimi ndihet kudo, në sytë tuaj, në zemrat tuaja.
Shpresa ka mbërritur dhe është e pandalshme shpresa. Këtë shpresë për ndryshim e shoh dhe e prek edhe te socialistët që njësoj si qytetarët e tjerë kanë ndarë të njëjtat vuajtje, të njëjtat sfida, por ata janë dyfish të zhgënjyer, dyfish kokulur. Ju them sot socialistëve ngriheni kokën, bashkohuni me ne, vëllezër dhe motra bëhuni pjesë e ndryshimit. Ta ndryshojmë Shqipërinë. Bashkë për ti kthyer shqiptarëve shpresën, për t’i dhënë rinisë perspektivën. Të hapim rrugën e perspektivës, rritjes së rrogave për punëtorët shqiptare. Ne kemi plan që banorët e Delvinës të mund të gëzojnë frytet e djersës së tyre. Kjo tokë ka thesare.
Djersa e fermerit të Delvinës e vadit tokën shqiptare çdo ditë por nuk sjell mirëqenie për ta. Sepse kryeministri në ikje e bëri naftën më të lirë për jahtet se sa për fermerët. Projekti që ne nisëm Kardhiq-Delvinë, e la në vend numëro, e la në baltë. Ai do të mundësojë që prodhimet e mrekullueshme të fermerëve të kenë mundësi të transportohen drejt tregjeve, duke shmangur qafën e bukur por të vështirë të Delvinës”, tha Basha në fjalën e mbajtur.