Sarandë, Denaj: Regjistrimi i markës rrit konkurrencën e ndershme për biznesin
Për ministren e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, regjistrimi i markës dhe patentës së një produkti apo biznesi, është një hap shumë i rëndësishëm si një hap i parë në rritjen e konkurrencës së ndershme në treg.
Këtë deklaratë Denaj e bëri gjatë një takimi informues për biznesin mbi pronësinë industrial të organizuar nga drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale, në qytetin e Sarandës.
“Unë do të doja që produkti shqiptar nga #hashtag tek kafeneja, tek kremi i duarve, tek një markë tjetër prodhimi, tek një reçel, të ketë një markë, e cila jo vetëm thotë emrin e personit që e ka krijuar atë që në momentin që vendosi emrin e biznezit, që buroi nga zemra, por në vetvete ka menduar sesi do ta çojë atë jo vetëm tek tregu, por deri tek perceptimi i secilit qytetar që do ta blejë”, u shpreh Denaj.
Ndërsa duke iu referuar qytetit të Sarandës, të cilin çdo vit e vizitojnë mijëra turistë, Denaj tha, se ka një avantazh, ajo preket nga të huajt dhe kjo prekje ndodh në të gjitha produktet.
Shqipëria që prej vitit 1993 është shtet anëtare e Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale dhe çdo vit nga kjo organizatë lancohet një slogan i dedikuar. Për këtë vit slogani është “Biznesi tek Pronësia Intelektuale”.