Masakër mjedisore në Himarë, firma merr pa leje rërë dhe inerte nga bregu detit
Fiks Fare denoncoi një tjetër masakër mjedisore, kësaj herë në një nga zonat më të bukura të Shqipërisë; plazhi i Livadhit në Himarë! Një firmë, e cila ka fituar një tender plot 5 milionë euro, ka marrë pa leje rërë dhe inerte nga bregu i detit. Gjurmët janë të dukshme, pasi bregu i detit ka ndryshuar rrënjësisht.
Eskavatorë dhe mjetë të tjera të rënda kanë shkuar në këtë bregdet dhe kanë filluar të hapin kanale dhe të zhvendosin qindra metër kub inerte. Investitori i këtij projekti është Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili nuk ka asnjë dijeni për këto punime, pasi “ende nuk është dhënë leja nga KKT”.
Në redaksinë e emisionit investigativ u ankuan dhjetëra banorë të Livadhit, Himarë. Dhe, pamja e parë që hasi grupi i Fiksit ishin pikërisht eskavatorët e mëdhenj që kishin “pushtuar” një nga plazhet më të bukur të Shqipërisë. Këto mjete kishin marrë rërë dhe inerte nga deti dhe po i zhvendosnin qindra metra më larg. Ndërkohë, një mjet i tonazhit të rëndë kishte hapur një kanal të madh, duke e kthyer zonën në një gërmadhë.
Banorët i treguan gazetarëve të Fiks Fare se, disa javë më parë, një firmë ka shkuar në atë bregdet dhe ka filluar punimet. Pa vendosur më parë një tabele për projektin, pa asnjë konsultim me banorët dhe pa asnjë lajmërim. “Kanë ardhur dhe kanë marrë rërën dhe inertet që nxjerr deti dhe i kanë vendosur anës. Më pas, ky mjet ka hapur një kanal të madh” thonë ata, ndërsa rezulton se punime ka në të gjithë bregdetin e Livadhit. Banorët pohojnë se bregu dhe rëra është pronë e të gjithëve dhe nuk mund të merren dhe të ndërtohet diçka. “S’ka ardhur askush të konsultohet me ne. Erdhën direkt dhe filluan punë. Nuk e di si mund të punosh në këto kushte” pohojnë ata.
Fiksi pyeti inxhinierin Xhevair Ngjeqari, i cili thotë se plazhi i Livadhit është një nga më unikët në të gjithë Mesdheun. Sipas tij, rëra që del nga Livadhi është krijuar nga natyra dhe kjo batërdi duhet të ndalohet sa më parë. Ai thotë se s’ka asnjë tabele se çfarë do të punohet. Ndërkohë, inxhinieri i mjedisit Sazan Guri thotë se firma ka shkatërruar një nga zonat më të bukura të Shqipërisë. Sipas tij, duhet që të ndalohen urgjentisht punimet, ndërsa duhet të ketë konsultime me banorët. Pohon se nuk e di kush mund të ketë dhënë leje për këtë projekt dhe ata që i kanë hartuar nuk i kanë bërë nga terreni por nga zyra.
Gazetarët kontaktuam me kryetarin e Bashkisë së Himarës, z.Jorgo Goro, duke i bërë prezent pikërisht problematikën e konstatuar. Ai nuk pranoi të jepte intervistë, ndërsa pohoi se projekti është kryer nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Sipas tij, FSHZH duhet që të marrë lejet përkatëse.
Pas kësaj përgjigje, Fiksi i dërgoi një shkresë zyrtare FSHZH-së, se a lejohet që firma të marrë rërën e detit për të ndërtuar këtë projekt. “FSHZH ka lidhur kontratë me firmën “Gjikuria” sh.p.k. Sqarojmë se aktualisht projekti është për miratim pranë Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT) dhe ende nuk kanë filluar punimet nga kjo firmë. Mbi veprimtaritë të parashtruara nga ana juaj, që po zhvillohen nga makineri (eskavatorë) bëjmë me dije se nuk janë pjesë e veprimtarisë dhe përgjegjësi e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, përsa kohë supervizori nuk ka dhënë urdhrin për fillimin e punimeve e rrjedhimisht këto ndërhyrje nuk përfshijnë FSHZH” thuhet në këtë përgjigje. Pra, punimet që konstatoi Fiks Fare në Livadh janë pa lejen e organeve shtetërore. Sipas Fondit, ky projekt është i hartuar nga Bashkia Himarë dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit është në rolin e Agjencisë Zbatuese.
Gazetarët morën kontakt edhe me përfaqësues të firmës “Gjikuria”, e cila ka fituar tenderin 5 milionë euro për rehabilitimin e plazheve në jug të Shqipërisë. Një punonjës i kësaj firme pohon se vetëm sa kanë hapur një kantier në zonë, për ti paraprirë pikërisht sezonit veror. Ai tha se do të behet një barrierë mbrojtëse, ndërsa tha se punimet do të fillojnë menjëherë sapo të jepen lejet përkatëse! Por, në terren, këto punime kanë filluar, madje duke marrë edhe inerte dhe rërë nga bregu i detit. Punonjësi tha se në projekt nuk parashikohet që këto inerte të merren nga deti, por nga një vend tjetër. “Nëse janë marrë, është gabim. Duhet të kthehen menjëherë në të njëjtin vend” thotë punonjësi.