VIDEO/ Patozi: Bledar Burgjia, një përfaqësues i denjë për Sarandën
Koordinatori i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, gjatë një interviste për Saranda TV prezantoi kandidatin për deputet, Bledar Burgjia, si dhe shprehu synimet e forcës së vet politike për qarkun e Vlorës.
Patozi u shpreh se zoti Burgjia është një nga përfaqësuesit më të rinj të BD-së, i cili mishëron dhe përfaqëson vyrtytet dhe vlerat më të mira qytetare të Sarandës.
Ndërkohë, ai shprehu edhe mbresat e veta për qytetin e Sarandës, me të cilin e ka lidhur aktiviteti politik për shumë vite. Sipas tij, Saranda nuk ka asnjë lidhje me polarizimin dhe ekstremizmin politik, sepse ajo reagon me qytetari dhe qetësi ndaj cdo zhvillimi të rëndësishëm për vendin.
“Rikthimi në Sarandë me një sfidë të re do të jetë domethënës, sepse unë besoj te urtësia dhe mençuria e sarandiotëve, të cilët nuk kanë pse të mbështesin politikën e vjetër, agresive, radikale dhe ekstremiste. Ne këtu kemi ardhur me një djalë qytetar, një personalitet të Sarandës, por edhe me një projekt politik, të cilin ai e mishëron më së miri”, – u shpreh Patozi.
Sipas tij, Bindja Demokratike ka një pritshmëri të madhe në të gjithë Shqipërinë, por ajo është më e madhe në qarkun e Vlorës. Ai e quajti këtë qark si mbështetësin e parë që në fillimet e Bindjes Demokratike dhe shtoi se ajo flakë që u ndez atëherë sot është përhapur në të gjithë Shqipërinë.
“Pretendimet më të mëdha dhe më serioze, ne i kemi në qarkun e Vlorës. Është e padiskutueshme që qarku i Vlorës do të përfaqësohet në parlament me të paktën një nga kandidatët e Bindjes Demokratike, dhe për këtë nuk kemi aspak dyshime. Ne kemi gjetur një mbështetje shume të madhe në Vlorë, në Himarë, në Sarandë edhe Delvinë, pra në të gjitha distriktet e qarkut të Vlorës”,- shtoi Patozi.
I pyetur për incidentet e fundit të fushtës në Elbasan e gjetkë , Patozi u shpreh i prerë duke theksuar se Bindja Demokratike i dënon me ashpërsi këto akte si të padenja dhe shtoi që këto forca politike agresive duhet të refuzohen prej qytetarëve më 25 prill.
Ai tha se Bindja Demokratike ka ardhur në këto zgjedhje me një kontrast të dukshëm nga partitë e vjetra, me një projekt politik, i cili u drejtohet kryesisht qytetarëve mëndjehapur (të cilët janë shumica) dhe jo fanatikëve partiakë, që votojnë qorrazi në Shqipëri.