Greqia kërkon karantinë për Janinën: Shqiptarët hyjnë nga Kakavija me teste false, aty nuk funksionon shëndetësia
Komisioni i specialistëve grekë ka udhëzuar lockdown total për Janinën dhe periferinë e Epirit, pas rritjes së ndjeshme të ngarkesës virale në rajon.
Në prag të vendimit qeveritar, Guvernatori i Periferisë, Alekos Kahrimanis ka deklaruar se përveç disa rasteve të caktuara ku humbën kontrollin dhe nuk u respektuan masat, kryesisht përgjegjës për rritjen e të infektuarve në rajon janë pacientët shqiptarë. Konkretisht, Kahrimanis ka deklaruar se “Sot 50% e pacientëve në spitalet kundër covid-19 janë të ardhur nga Shqipëria, ndërsa pacientët në reanimacion dhe intubim janë të gjithë shqiptarë. Kurimi i tyre në Greqi vendoset dhe miratohet nga ministria e Jashtme” duke kaluar përgjegjësinë e të dhënave shqetësuese në afërsinë kufitare të zonës me Shqipërinë.
Ndërkohë, në gazetën greke “Protothema” kryetari i Dhomës së Tregëtisë së Janinës, Dhimitris Dhimitriu deklaron se “pasagjerët shqiptarë kalojnë me teste false kufirin në Kakavijë, vijnë me autobusa deri në Delvinaki dhe pastaj lajmërojnë shoferin se nuk ndihen mirë. Shoferët janë të detyruar t’i shoqërojnë në qendrat shëndetësore më të afërta, ku natyrisht testet dalin pozitivë me covid-19 e sipas rregullores, do të kurohen në Greqi”.
Madje, si për t’i hedhur zjarr benzinës, Dhimitriu i pyetur përse shqiptarët preferojnë kurimin në Greqi thekson për gazetën se “është mëse normale, politika e shtetit shqiptar kundër koronavirusit është jo-ekzistente, çdo gjë funksionon normalisht, pa asnjë kontroll dhe rastet e rënda thjesht u jepet oksigjen dhe izolim në shtëpi. Të drejtë kanë që kërkojnë kurim në Greqi”.