Rama në Vlorë: Qendër për të rinjtë ku mund të fitojnë nga 1 mijë deri në 10 mijë Euro
Kryeministri Edi Rama beson se teknologjia është një nga mënyrat më të mira për të rinjtë që të fitojnë shumë para. Kreu i qeverisë ishte në Vlorë, ku sëbashku me kryetarin e Bashkisë Dritan Leli folën për transformimin e një karabinaje të vjetër në qytet e për ta kthyer atë në një qendër inovacioni dixhital për të rinjtë.
Rama u shpreh se të rinjtë nga Vlora do të kenë mundësi të fitojnë nga 1 mijë Euro deri në 10 mijë euro në bazë të aftësive të tyre pa qenë nevoja të largohen nga vendi dhe me vetëm një kompjuter.
“Do kthehet në objekt publik dhe unë bëra një diskutim të gjatë me arkitektë që të jetë një qendër, e cila të ketë disa komponentë, dhe një komponent kryesor të jetë qendra për gjithë proceset IT-së për të rinjtë në mënyrë që ta krijojmë rrjetin me bërthamën e nisur në Tiranë me TUMO-n me Korçën që ka avancuar për ta pasur këtë qendër për të rinjtë tek Biblioteka e re. Me Vlorën kemi një aset fantastik që mund të transformohet dhe t’u japim mundësi të rinjve që të kenë akses tek ky aktivitet me procese ultrainovative trajnimi, e aktorë që i kemi në kontakt dhe të hyjmë në botën e kodimit dhe të gjithë shërbimeve globale online që u japin mundësinë që pa lëvizur fare nga vendi, pa lëvizur nga Vlora të jenë të punësuar në treguan global me kompjuterin e tyre dhe mund të kenë paga që shkojnë nga 1 mijë Euro në ditën e parë deri në 5, 6, 9,10 (mijë Euro) në varësi nga aftësia dhe nga kapaciteti i shërbimeve që kryjnë. Kjo është e ardhmja dhe për një pjesë të konsiderueshme e atyre që sot janë 14 deri në 19 vjeç në sensin e punësimit”, tha Rama.
Kreu i qeverisë kërkoi që kjo qendër të ketë hapësira edhe për të moshuarit e fëmijët.
“Pastaj përveç kësaj sepse hapësira është fantastike të ketë edhe hapësira për të moshuarit, hapësira për kalamajtë, shërbime publike që janë të përqendruara dhe që ofrojnë mundësira të drejtpërdrejta për qytetarët”, u shpreh ai.