Vdekja e Hariz Memes, Lulzim Basha: Humba një mik të rrallë
Vdekja e parakohshme e Hariz Memës, reagon Meta: Një personalitet i përkushtuar për paqen dhe begatinë e komunitetit
Lulzim Basha ka reaguar pas ndarjes nga jeta të kreut të PD Sarandë, Hariz Mema.
“Lajm i pabesueshëm ndarja nga jeta e mikut dhe bashkëpunëtorit tim të ngushtë Hariz Mëma.
Jam i tronditur dhe pikëlluar pa fund kur mora lajmin se rruga e tij u ndërpre sot papritur, dhe turravrapi i tij i zakonshëm u ndal përgjithmonë, pikërisht teksa ishte në kulmin e energjisë dhe dinamikës së tij të pandalshme.
Harizi fitoi betejën me Covidin por sot mori një goditje në zemër. Mendimet dhe lutjet e mija janë me bashkëshorten Teuta, vajzën Brikenën dhe dy djemtë Sinanin dhe Johanin, të cilëve ju gjendem pranë me gurin e rëndë të dhimbjes në zemër, me ngushëllimet e mija më të ndjera.
Kjo është një humbje e madhe për komunitetin e Sarandës ku ai ka dhënë kaq shumë si sipërmarrës, si kryetar i shoqatës Labëria, dhe një qytetar zemërmadh dhe i përkushtuar për komunitetin dhe bashkëqytetarët e tij.
Kjo është edhe një humbje shumë e rëndë për ne, për demokratët, ku ai prej dy mandatesh drejtoi me sukses degën e Sarandës, dhe për mua personalisht që kam humbur një mik të rrallë dhe bashkëluftëtarin e papepur të kaq shumë betejave. Do ta kujtojmë si përherë, fjalëpak e punëshumë, të vendosur, të dashur, të fortë dhe të qeshur.
U prehsh në paqe mik i shtrenjtë!”, shkruan Basha.