Sarandë. Klosi: Kërkesa për të regjistruar jahtet me flamur shqiptar, hapen procedurat për certifikimin e operatorëve të turizmit detar
Gjatë vitit 2020, vitit të pandemisë Ministria e Turizmit dhe Mjedisit plotësoi kuadrin ligjor për turizmin e detit.
Këta operatorë duhet të regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Biznesit si dhe të kenë një certifikim për aftësitë për ta realizuar këtë nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit. Të gjitha procedurat do të kryhen elektronikisht nëpërmjet e-Albania.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, gjatë një takimi me tour operatorët në Sarandë, tha se, “ligji i ri e përcaktoi, vendimi i Këshillit të Ministrave na e dha orientimin se si duhet të realizohet dhe sot që flasim jemi këtu për të hapur procedurat për shpalljen e operatorëve të certifikuar të turizmit detar. Është një biznes padyshim, është një biznes turistik, është një biznes i vështirë nga ata që e realizojnë dhe këtu kemi kolegë, bashkëpunëtorë që kanë dekada që e bëjnë turizmin detar, por që ka ardhur koha që dhe këto operatorët jenë të licensuar, të mbrojtur nga ligji në aktivitetet e tyre”.
“Të jenë jo të konkurrueshëm nga ata të cilët duan të bëjnë biznes të parregullt dhe pakualifikimet e nevojshme dhe prandaj një procedurë shumë e thjesht por e mbrojtur ligjërisht është realizuar për regjistrimin e operatorëve turistik detar”, – tha Klosi në këtë takim.
Një prej risive të paketës ligjore është dhe zero TVSH për jahtet, që duan të regjistrohen në Shqipëri me flamurin shqiptar.
“Shpresojmë shumë që 2021 të shënojë dhjetra mjete lundruese ndërkombëtare që të regjistrohen në flamurin shqiptar. Kërkesat e para kanë ardhur dhe regjistrimet e para do të ndodhin në ditët në vazhdim, por ky do të jetë një proces i cili do të shënoj një ndryshim kryekëput të flotës shqiptare të regjistruar në flamurin shqiptar, që prekin bregun e Sarandës, bregun e Vlorës, bregun e Shëngjinit, Velipojës, Durrësit dhe gjithë bregun shqiptar”, – nënvizoi Klosi, duke shtuar se është një politikë e re që kërkon një infrastrukturë të re.
Ministri Klosi u shpreh se, “nuk është tashmë le të themi as premtim, as përfundim është legjislacioni i cili na afron që të kemi TVSH-në Zero për jahtet, krahasuar me vendet e rajonit shumë herë më të favorizuar. Spanja për gjithë këto mjete ka 12 %, Italia e 22 %, Greqia e ka 23 %, Franca 20, Kroacia 13 deri 25, Mali i Zi 9. Pra ne jemi shumë atraktiv përsa i përket regjistrimit me flamurin shqiptar”, tha Klosi.
Sipas tij, gjithë këto zhvillime kërkojnë jo vetëm një kuadër ligjor shumë të plotë, por dhe një infrastrukturë të realizuar.
“Për këtë arsye përveçse është punuar për ndryshimet në Kodin Detar për t’u përshtatur me këto zhvillime, do të ketë dhe investime, si në portin e Vlorës, të Durrësit etj.