Majko debaton me deputetin nga Saranda: Ke humbur kaçurrelat prej kohësh! Ja cila është arsyeja pse ikin shqiptarët
Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko ka debatuar në Kuvend me deputetin e opozitës Kostaq Papa në lidhje me të drejtën e votës së emigrantëve për zgjedhjet e 25 Prillit.
Pyetjeve që rreshtoi Papa, Majko iu përgjigj shkurt duke i thënë “ka gjëra aq të qarta sa unë që kam flokët e bardha dhe ti kë humbur kaçurrelat prej kohësh”. Ndër të tjera i theksoi se arsyeja përse njerëzit largohen nga Shqipëria nuk është vetëm për shkaqe ekonomike, por edhe për “budallallëqet që prodhohen nga politika”.
Papa: Do të citoja që ka lidhje me çdo veprim që bëjnë politikanët dhe qeverisjet në Shqipëri. Çdo gjë që ndodh këtu ndikon në diasporë. Marr shkas nga një kërkesë e fshatit të Hormovës kur thotë se qeveria shqiptare ka lënë shtrimin e varrezave me kocka qensh dhe merr tokë nga fshatarët për të shtuar varrezat dhe pengon ngritjen e një monumenti. Problemi i të burgosurve shqiptarë, qeveria ka heshtur për çdo vrasje e therje që u është bërë atyre në administratat publike të burgjeve në Shqipëri. Konsullatat tona flenë dhe nuk interesohen për vajzat tona që humbin në qendër të Athinës. Procesi i mbivendosjes së emigracionit është një përpjekje që ka dështuar dhe mban peng Shqipërinë. Çfarë po bën qeveria shqiptare dhe Ministria e Diasporës për hapjen e shkollave shqipe?
Majko: Këtu nuk kam ardhur të dëgjoj dëngla për njerëzit që nuk ia kanë idenë se çfarë bën shteti për diasporën. Sa kohë ke që nuk dëgjon një mësues që kërkon libra nga shteti i vet? Sa ke kërkuar informacion për çështjen e pensioneve? E di që ka koordinator që merret me këtë çështje, e njëjta gjë me burgjet. Do informacion për furnizimin me libra, çfarë po bëjmë për të burgosurit, për të drejtën e votës që e sorollasin mospërgjigjet e opozitës, çfarë kemi bërë ne për një histori e cila flet me zë të lartë. Ka disa gjëra që janë shumë të qarta zoti Papa, ashtu sic unë i kam flokët e bardha dhe ti ke humbur kaçurrelat prej kohësh.
Papa: Zakonisht nuk merrem me ministrat as me konceptin e ministrisë por punën që ofrojnë. Ishte e pafalshme dhe gabim çfarë bëri ministri. Unë tolerova një ministër të muajve më parë që nuk kishte ide dhe ishte jashtë kontekstit të interpelancës nuk fola, ndërsa e prisja që do të bëhej ky gabim, por nuk thashë të merrem as me kë takohet ministri kur ikën jashtë. Por dua të rrahim ide dhe mendime për perspektiva për të mbajtur të lidhur me atdheun. Nuk do hy fare në atë konjukturë sepse e kam fituar. Puna është që shqiptarët jashtë Shqipërisë janë po aq të indinjuar sa shqiptarët në Atdhe ku çdo gjë është e errët.
Majko: O zotëri, shko interesohu që ministrat e shtetit nuk kanë buxhet, por fut këtu të holla e të trasha. Hap legjislacionin e shih si funksionon. Flisni për gjëra patetike dhe shmangni të drejtën e votës së shtetasve shqiptarë jashtë vendit. Njerëzit largohen për arsyet e tyre ekonomike. Nëse ka një arsye që njerëzit largohen nga Shqipëria, janë budallallëqet që prodhohen nga politika.