Vitin që lamë pas erdhën 3.8 milionë turistë më pak: Për 2021 po rikthehen prenotimet nga polakët, çekët e nordikët
“2020 ishte një vit i vështirë për turizmin, pasi pandemia gjunjëzoi një ndër shtyllat kryesore të ekonomisë. Pas një boom-i turistësh në vitin 2019 prej 6.4 milionë, hyrjet e turistëve të huaj u tkurrën ndjeshëm si pasojë e mbylljes së kufijve dhe masave të tjera kufizuese të ndërmarra në kuadër të pandemisë.”
Të dhënat e Instat tregojnë se vizitorët e huaj që erdhën në Shqipëri gjatë 2020-ës arritën në 2.6 milionë, me një rënie të thellë prej 3.8 milionë turistë më pak se në 2019.
Edhe pse shifrat flasin për rreth 900 mijë vizitorë më pak nga Kosova, këto të fundit duket se kanë shpëtua turizmin vitin e kaluar pasi përbëjnë rreth 2.2 milionë të totalit të vizitorëve të huaj.
Përgjysmim kanë shënuar edhe hyrjet nga vendet e fqinje e ato të rajonit si Maqedonia apo Mali i Zi, ndërsa rënien më të thellë e kanë regjistruar vizitorët nga Polonia dhe Spanja që tejkalon 90% vizitorë më pak të ardhur nga këto vende.
Vendosja e masave kufizuese ka penalizuar edhe shqiptarët për të dalë jashtë vendit, pasi sipas të dhënave arritën ne 2.9 milionë, nga 5.7 milionë që kaluan kufijtë në 2019, një nga vitet më pozitive për industrinë turistike si në numër vizitorësh ashtu edhe në të ardhura.
Pavarësisht goditjes që pësoi turizmi një vit më parë, kreu i Unionit Turistik Shqiptar Rrahman Kasa është optimist për rikuperimin e sektorit në 2021, por shton se gjithçka do të varet nga ecuria e pandemisë.
“Nuk mund të flasim për kthim turistësh si në 2019, por kemi shpresa për një vit më të mirë se 2020, duke iu referuar edhe sinjaleve e kontakteve të vazhdueshme që kemi me partnerët si dhe kontratave.
Dy javët e fundit ka filluar të lëvizin pak gjërat, kanë nisur rezervimet. Kryesisht janë nga vendet e Europës Qendrore, Polonia dhe Rep. Çeke, ka edhe nga vendet nordike”, shprehet Rrahman Kasa, kryetar i Unionit Turistik Shqiptar.
Një paketë e dedikuar vetëm për turizmin shton ai do të shpëtonte sektorin nga kolapsi.
“Shumica e agjencive turistike kanë ulur qepenat sepse nuk arrijnë të mbajnë në punë punonjësit, të paguajnë qiratë, taksat. Ajo që do ishte më e favorshme dhe ndihmë konkrete për agjencitë turistike, guidat turistike apo dhe transportin turistik do ishin grantet.
Një grant bazuar mbi xhiron apo aktivitetin e viteve të kaluara për mbijetesë le të themi”, tha Rrahman Kasa.