Anila Denaj vijon takimet me bizneset në Sarandë, informime për proçesin e fiskalizimit

Ministrja e Ekonomisë dhe Financave Anila Denaj ka vijuar këtë fundjavë turin e takimeve me biznesin në Sarandë.

Denaj e cila do jetë në listën e deputeteve për qarkun Vlorë dhe do mbulojë Sarandë, e shoqëruar nga kryebashkiaku Adrian Gurma në turin e takimeve është konsultuar me bizneset për proçesin e fiskalizimit.

“Agroni, është një sipërmarrës i vjetër dhe pika e tij e shpërndarjes së pijeve freskuese ka vite në këtë qytet.

Për të, procesi i fiskalizimit do të fillojë në Shtator 2021, duke i dhënë kohë të përgatisë stafin dhe logjistikën, për zbatimin e një reforme, që revolucionarizon biznesin dhe sistemin fiskal shqiptar”, shprehet Denaj

“Edmondi më tregoi se degën e kompanisë Billa në Sarandë e hapi në vitin 2016, kur tregu ishte i etur për produkte cilësore.

Sot biznesi që e drejton bashkë me vëllain e tij është i konsoliduar dhe sfida është zgjerimi i mëtejshëm.

Gjithashtu biseduam për procesin e Fiskalizimit, që ka nisur tashmë, si dhe për t’u parapërgatitur në mënyrë që të mos lihet gjithçka në afatin e fundit, i cili përkon edhe me sezonin turistik”, nënvizon Ministrja Anila Denaj. /Sarandanews.com/