Përmet, anullohen festimet për ditën e verës dhe aktivitetet kulturore e sportive
Bashkia e Përmetit ka anulluar aktivitetin e ditës së verës e planifikuar këtë fundjavë, pas urdhërit të mbylljes për një periudhë dy javore për të parandaluar përhapjen e coronavirusit.
Njoftimi i plotë i Bashkisë së Përmetit.
Bazuar në urdhërin e Ministrisë së Shëndetësisë nr. 135, datë 09.03.2020 të gjitha institucionet arsimore publike dhe jo publike do të mbyllen për një periudhë dy javore për të parandaluar përhapjen e coronavirusit.
Po ashtu janë pezulluar deri në 3 Prill të gjitha aktivitetet kulturore e sportive.
Nisur nga kjo situatë, Bashkia e Përmetit njofton pezullimin e të gjithë aktiviteteve me rastin e Ditës së Verës.
Për të evituar grumbullimet dhe për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve, festimet do të pezullohen, por përmetarët do ta festojnë festën e tyre tradicionale pranë familjeve.
Në kuadër të masave të mëtejshme mbrojtëse, Bashkia e Përmetit bën me dije se nga nesër nis dezinfektimi i të gjitha ambienteve të institucioneve arsimore, në mënyrë që ato të jenë të gatshme për rifillimin e procesit arsimor.
Me urdhër të Kryetares së Bashkisë do të nisë menjëherë dezinfektimi i kontenierëve të mbeturinave në qytet e fshat.
Po ashtu, do të qëndrojnë të mbyllura deri në datë 3 Prill, Qendra Kulturore e Fëmijëve dhe Qendra Komunitare e Femijëve me nevoja të veçanta. Gjithashtu do të pezullohen të gjitha aktivitetet sportive.
Bashkia e Përmetit garanton qytetarët për cilësinë e ujit të pijshëm. Uji i pijshëm garanton të gjitha standardet për konsum, janë marrë të gjitha masat për cilësinë e tij. Analizat e ujit të pijshëm janë të përditshme dhe të çertifikuara.
Bashkia e Përmetit do të ketë komunikime të vazhdueshme me qytetarët për çdo masë të marrë në vijimësi, përmes rrjeteve sociale, faqes zyrtare dhe mediave lokale.
Bashkia e Përmetit do të krijojë lehtësira për punonjësit e saj që kanë fëmijë të vegjël për t’u kujdesur.
Të dashur qytetarë, kjo nuk është situatë për panik, por një situatë për t’u kujdesur më shumë për shëndetin dhe higjienën personale.
MOS NEGLIZHONI këshillat e publikuara nga Ministria e Shëndetësisë.
Për çdo simptomë, të ngjashme me ato të coronavirus TELEFONONI NR.127.