E “dogji” pasuria, kryetarja e Gjykatës së Gjirokastrës nxirret nga sistemi i drejtësisë
Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi sot shkarkimin përfundimtar dhe largimin nga sistemi i drejtësisë të ish-kryetares së gjykatës së Gjirokastrës Albina Spaha.
Ajo u shkarkua nga detyra më 15 prill 2019 me arsyetimin e mungesës së burimeve financiare të ligjshme për blerjen e një apartamenti. Por Spaha e çoi në apel, që vendosi lënien në fuqi të vendimit të shkallës së parë, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Vendimi i plotë
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, germa “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
- Lënien në fuqi të vendimit nr. 139, datë 15.04.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Albina Spaha.
- Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
U shpall sot, në Tiranë, më datë 12.01.2021.