Qeveria hap garën për koncesionin: Porti i Vlorës do të kthehet në port turistik
Qeveria ka hapur garën për të dhënë me koncesion shndërrimin e portit të Vlorës në një port turistik.
Formula e këtij koncesioni bazohet në parimin: ndërtim-operim-transferim, ku do të jetë kompania që do të përzgjidhet fituese e cila duhet të bëjë investimin e më pas të nxjerrë të ardhura përmes tarifave portuale.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka vendosur si vlerë minimale investim në këtë port shumën prej 22.7 milion Eurosh pa TVSH, ndërsa kohëzgjatja e operimit nga privati do të jetë për 35 vjet, e më pas porti do të transferohet në pronësi të shtetit.
Porti turistik do të ndërtohet në zonën që sot përdoret për disa operacione tregtare dhe kryesisht për transportin e pasagjerëve.
Marina do të përshtatet për akomodimin e varkave dhe jahteve dhe krijimin e një zone me shërbime tregtare e turistike. Ofertat për kompanitë e interesuara do të jenë të hapura deri më 26 shkurt.
Porti është pjesë e Master Planit të Lungomares në Vlorë, e cila do të zërë një sipërfaqe të konsiderueshme të portit, bashkë me një park publik që do të shtrihet nga Skela deri në afërsi të tij, ndërsa faza e dytë e rrugës Trans-Ballkanike do të lidhet drejtpërdrejt me portin.