Arrestimi i bujshëm i 2 oficerëve të policisë nga Saranda: Zbulohen pas 14 vitesh gjurmët e gishtave të 2 personave të tjerë

Plot 14 vjet pas arrestimit të bujshëm të 2 oficerëve të policisë së Sarandës Ylli Kapo dhe Gentian Baba dhe shpalljes ne kërkim të Ermal Nikes e Peliban Mehmetajt për një sasie prej 648 kg marijuane, Prokuroria e Sarandës ka zbuluar ne pakot me droge gjurmët e gishtave edhe te dy personave te tjerë.

Kur të gjithë mendonin se kjo çështje ishte arkivuar pas dënimit përfundimtar të Kapos dhe Babajt me nga 5 vjet e 4 muaj burgim, Mehmetajt me 6 vjet e 8 muaj burgim (u ekstradua nga Italia në 2014) dhe dënimit në mungese te Ermal Nikes me 5 vjet e 4 muaj, gjurmët e gishtave kanë çuar në akuze edhe dy persona të tjerë.

Behet fjale për Alban dhe Gazmend Bashajn, të dy nga Lazarati. Më 13 korrik të këtij viti, analiza krahasuese e 10 gjurmëve të gjetura në 649 pakot e sekuestruara ne 16 korrik 2006, rezultoi se 5 prej tyre i përkisnin 30-vjeçarit Alban Bashaj nga Lazarati.

Më 5 gusht 2020, prokuroria e Sarandës cakton ndaj tij masën e sigurimit ne mungese “Arrest ne Burg” e cila ekzekutohet në Gjirokastër më 30 gusht 2020, gjatë një operacioni ku policia sekuestroi ne banesën e tij ne Lazarat edhe 10 rrënjë “cannabis sativa”.

Ne 1 shtator Gjykata e Sarandes i komunikoi Bashajt vendimin e masës së sigurisë duke e dërguar në paraburgim, nderkohe qe ne 18 shtator nje gjurme e gjashte, ajo me germen “F”, e sekuestruar 14 vjet me pare, rezultoi e formuar nga pellemba e Bashajt duke i shtuar nje prove me teper prokurorise ne ceshtjen ne ngarkim te tij.

Megjithatë hetimet nuk përfunduan me kaq. Më 24 nëntor 2020, Prokuroria e Sarandës urdhëroi një tjetër ekspertim daktiloskopik krahasues dhe me aktin e 3 dhjetorit të këtij viti zbuloi se 2 gjurmë të tjera të sekuestruara në pakot me drogë, rezultuan të jenë të shtetasit Gazmend Bashaj nga Lazarati.

Më 19 dhjetor, Prokuroria e Sarandës cakton ne mungese ndaj tij masën e sigurimit “Arrest ne Burg”, qe ekzekutohet në Kukës më 22 dhjetor. Megjithatë në seancën e 23 dhjetorit, Gjykata e Sarandës vendosi te liroje Gazmend Bashajn me argumentin se e kishte vuajtur me pare dënimin për veprën penale “prodhim dhe shitje narkotikësh”.

“Ndodhur në këto kushte kjo gjykatë vlerëson se jemi përpara gjësë së gjykuar dhe për pasojë i dyshuari nuk mund të procedohet dhe të dënohet dy herë për të njëjtin fakt”, u shpreh Gjykata duke ju referuar një dënimi të mëparshëm nga po kjo Gjykate, atij me nr. 23-2-13-1023 (61) te vitit 2013, ku Basha rezulton i dënuar me 5 vjet burg për te njëjtën çështje. Atehere Gjykata e Sarandës i bashkoi atij edhe dënimin me 4 vjet e 5 muaj burg te Gjykatës së Apelit Korçe për një ngjarje ku ai ishte kapur me 42 kg marijuanë dhe përfundimisht u dënua me bashkim dënimesh me 5 vjet burg.

Ngjarja

Në datë 07.12.2005 në Prokurorinë për Krime të Rënda është regjistruar procedimi penal nr.99 në ngarkim të shtetasit Xhelil Gervishi, më banim në Lazarat, Gjirokastër, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”, ndërsa nga të dhënat e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në, Ministrinë e Brendshme, rezultonin të ishin pjesë e këtij trafiku edhe të gjykuarit Gentian Baba e Ylli Kapo, punonjës policie, dhe në këto rrethana janë regjistruar emrat e këtyre shtetasve në hetim në kuadër të procedimit të mësipërm.

Siç ka rezultuar nga provat e administruara në gjykim, të gjykuarit Pelivan Mehmetaj, Ylli Kapo e Gentian Baba janë takuar në datë 14.07.2006 në fshatin Borsh, qyteti Sarandë, ku ka qenë i gjykuari Pelivan Mehmetaj i cili u ka kërkuar të transportonin një sasi lënde narkotike nga fshati Derviçan i rrethit Gjirokastër deri në fshatin Piqeras të rrethit Sarandë.

Në datën 16.07.2006 të gjykuarit e mësipërm janë takuar edhe me të gjykuarin Ermal Nika dhe janë nisur me automjete të ndryshme nga qyteti i Sarandës drejt Gjirokastrës ku do të takonin edhe fugonin e ngarkuar me lëndë narkotike. Në fshatin Derviçan, fugonin e ngarkuar me lëndë narkotike e ka marrë në drejtim i gjykuari Ermal Nika. Autokolonën e mjeteve e udhëhiqte i gjykuari Ylli Kapo, i cili udhëtonte me mjetin Fiat Cupe, me targa TR 2890H, më pas vinte i gjykuari Gentian Baba me makinën e tij, më pas i gjykuari Ermal me fugonin tip Benz me targë M 041561 i ngarkuar me lëndë narkotike, dhe në fund i gjykuari Pelivan. Ka qenë i gjykuari Ylli i cili ka vënë re një makinë civile “të dyshimtë” dhe ka lajmëruar të gjykuarin Ermal që të ndryshonte drejtimin e lëvizjes.

Në afërsi të fshatit Vanë të Rrethit Delvinë, nga policia gjyqësore është gjetur e sekuestruar një makinë furgon tip Benz me targë M 041561, në të cilin u gjetën 648 kg lëndë narkotike kanabis sativa e paketuar në 651 pako e të futura në 26 çanta.

Duke qenë në ndjekje, policia gjyqësore arrestoi në flagrancë edhe të gjykuarit Gentian Baba e Ylli Kapo, që shoqëronin furgonin për të çuar në destinacion lëndën narkotike, por nuk u mundësua arrestimi i bashkëpunëtorit tjetër Pelivan Mehmetaj, i cili u largua, sikurse i gjykuari Ermal Nika.

Pelivan Mehmetaj nga Selenica u ekstradua nga Italia ne 16 dhjetor 2014, ndersa Ermal Nika vazhdon ende te jete ne kerkim.