Denoncimi i Fiks Fare, murgu denoncon priftin në Vlorë: Vjedh lekët e kishës, duan të më vrasin. Zbardhet biseda: Budalla, rrugaç, qelbësirë…

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së hënës një skandal që ndodh brenda një shtëpie të Zotit. Prifti i Kishës në Manastirin e Zvërnecit në Vlorë kërcënon dhe ofendon murgun e këtij Manastiri. Shkak janë bërë akuzat e murgut, i cili e ka denoncuar priftin për vjedhje. Në redaksinë e emisionit investigativ u ankua murgu i manastirit, i cili fillimisht tregoi jetën e tij brenda shtëpisë së Zotit. Ai tha se është me origjinë nga Korça, ndërsa pohoi se ka qenë edhe në disa manastire të tjera, para se të zhvendosej në Zvërnec. Tregon se, ka braktisur familjen për t’iu përkushtuar Zotit. Gjatë 24 orëve pastron, lan, gatuan, madje ka mbjellë edhe një bahçe me perime. Jeton në godinën e Manastirit, teksa pohon se, muajt e fundit, i është vështirësuar jetesa. “Më kërcënojnë, ofendojnë dhe dhunojnë” pohon ai, ndërsa tregon edhe emrat e personave.

“Është Luan Kaso, roja i padeklaruar i Manastirit. Ai punon në të zezë në këtë Manastir. Bashkëpunon me priftin dhe më përndjek. E kam denoncuar te prifti se vjedh lekët që hedhin besimtarët. Prifti më ka thënë që e di, por asnjë masë nuk ka marrë” tregon murgu. Më tej pohon se, një ditë, ka vendosur një kartëmonedhë me shenjë në një nga ikonat e kishës. Pasi kishin ikur besimtarët, ka shkuar për të mbledhur paratë dhe ti vendoste në kasafortë. Por, kartëmonedhën me shënime nuk e ka gjetur. “E kam denoncuar si hajdut, por e mbron prifti” tha murgu, duke vijuar se “janë të dy, roja Luan Kaso dhe prifti Jani Terziu”. Ky i fundit, shkon disa herë në javë në Zvërnec, pasi është edhe prift në një kishë në Kavajë. “Vjen disa herë në javë. Por, ka autorizuar rojën që të më ruajë ngado” shton murgu.

Fiksi ka siguruar një audio, ku pronari i firmës që ruan Manastirin i kërkon rojes Luan Kaso që të mos fotografojë më murgun. Roja e pranon se e ka fotografuar, ndërsa i thotë se tani, pas urdhrit, nuk do e bëjë më. Murgu pohon se gjatë gjithë kohës ndjehet nën presion, pasi ka mësuar se Prifti Jani Terziu i ka thënë një roje tjetër që “vriteni”. “Kam edhe dëshmitar rojën e parë. I ka thënë që të më vrasin. Tani është me rojen. Unë s’kam frikë” shton më tej murgu.

Sipas tij, gjithçka ka filluar në momentin që ai ka denoncuar priftin Jani Terziu në Kishën Autoqefale të Shqipërisë se ka vjedhur lekët e kishës në Manastirin e Zvërnecit. “Lekët mbahen në një kasafortë dhe përveç priftit, janë edhe dy anëtarë të tjerë të komisionit që hapin kasafortën. Dy anëtarët e tjerë nuk kanë qenë për një kohë të gjatë dhe prifti ka marrë kasafortën dhe e ka hapur në dhomën e tij. Për këtë kam edhe një video, ku duket prifti që ka kasafortën në dorë” thotë murgu, i cili ia ka vënë në dispozicion edhe emisionit investigativ. Në fakt, në këtë video nuk dallohet shumë qartë prifti Jani Terziu me kasafortën, pasi është shumë larg. Gjithsesi, personi që shihet në video i ngjason priftit dhe në dorë ka një send me ngjyrë kafe. “Është kasaforta” thotë murgu. Ky i fundit tregon edhe për dhjetëra episode ku ai është kërcënuar edhe me jetë. Dhe, të gjitha kërcënimet kanë filluar pasi murgu është ankuar në Kishën Autoqefale të Shqipërisë. Fiks Fare ka siguruar një bisedë mes murgut dhe priftit Jani Terziu, ku ky i fundit i thotë budalla, rrugaç, qelbësirë (biseda më poshtë).

***

Bisedë mes priftit Jani Terziu dhe murgut të Manastirit të Zvërnecit

Murgu – Po mirë, ça ke që bërtet njëherë.

Prifti – Jam i nevrikosur, mos më fol më.

Murgu – Po qetësohu atëherë.

Prifti – Po ik, mos të shoh bojën. Ik mos të shoh fare, fshiu…

Murgu – Po pse të fshihem njëherë?

Prifti – Fshihu, se ma shpife. Më shpall neveri.

Murgu – Po lavdi Zotit qenke ti i mirë!

Prifti – Çdo gjë që të them unë me të bërtitura, me inat. Ik tutje, qërohu.

Murgu – Po unë s’po të bëj ndonjë gjë!

Prifti – Rri unë … pjerdh unë nga Çami, unë Çamit i kam dhënë pare në mes të Vlorës o budalla. Ik ore…

Murgu – Bravo, bravo vazhdo se e ke mirë. Po nuk i bëra…

Prifti – Rrugaç.

Murgu – Po nuk i bëra ndonjë gjë.

Prifti – Edhe një rrugaç i vjen … për familjen.

Murgu – O Papadhja…

Prifti – Ik.

Murgu – Nuk i bëra ndonjë gjë.

Prifti – I bërë familjes, ku do rrish.

Murgu – Po le të qetësohet, unë nuk e acarova.

Prifti – Ik ore rrugaç. Se ka frikë nga ty ai, do të pyesë ty kush je. Gënjen. Po ç’të bëj, po të ishte ndonjë tjetër, ja çaja… Rrugaçi!

Murgu – Po pse jam rrugaç?

Prifti – Se zë familjen, hidhesh në familje. Debatet tona nuk shkojnë në familje. Të të vijë turp, nga buka që të dha kjo, për bukën…

Murgu – Jam shumë mirënjohës për bukën që më ka dhënë.

Prifti – Turp të të vijë, turp të të vijë.

Murgu – Jam shumë mirënjohës.

Prifti – Qoftë edhe me lekët e botës, u ngrit në tavolinë. Respekt më tha.

Murgu – Kam shumë respekt, të kam respektuar jashtë mase.

Prifti – Sytë e tu ke respektuar. Pusho! Çdo gjë mbrapa krahëve, lajmëron Tiranën që je me familjen. E di Tirana, jam këtu me familjen do t’i them.

Murgu – Po mirë thojua.

Prifti – Të më tregojë bukën e familjen ai mua?! Vjet hëngre dru. Të më tregosh familjen mua, çdo gjë që të them bllë bllë bllë. Pyet ore, pyet, jam më i madh. S’të vrau njeri. Merr grykën për çdo gjë, më acaron nervat. Fol njëherë shtruar, siç të kam folur gjithmonë.

Murgu – Kam bërë përulësi aq sa.

Prifti – Ti përulësi?! Ku e ke përulësinë ti ore? Ti je gënjeshtar, mos më acaro. Mos më fol mua. Je gënjeshtar, gënjeshtari i ka të gjitha.

Murgu – Do vijë dita do sqarohemi edhe me Hirësi Nikollën që kam qenë apo s’kam qenë, mos ki merak.

Prifti – Ti me mua, ti me mua, s’ke për të ardhur më kurrë ore.

Murgu – Po do të vijë, do të thërrasë.

Prifti – Hiç ore fare, mua jo.

Murgu – Do të të thërrasë Hirësi Nikolla.

Prifti – S’kam punë fare me Nikollën unë.

Murgu – Po do të thërrasë se the fole me të.

Prifti – Ik ore…

Murgu – Unë as po të kërcënoj, po më kërcënon. Plehrë po më thua, ndyrësirë, rrugaç, e ça nuk po nxjerr nga goja.

Prifti – Ik ore.

Murgu – E ça nuk po nxjerr nga goja.

Prifti – Ik ore se do ti them prapë, ik.

Murgu – Po thoji, thoji.

Prifti – Mos të vete.

Murgu – Po thoji, unë e di, ça!

Prifti – Ik ore, të më tregosh familjen mua ti. Edhe ato që të kam thënë janë pak. Ik mos më acaro.

***

Rojet e Manastirit përndjekin murgun

Pronari i firmës që ruan Manastirin – I ke bërë foto atij (murgut)?

Roja Luan Kaso – I kam bërë.

Pronari i firmës që ruan Manastirin – Po pse?

Roja Luan Kaso – Për qejf!

Pronari i firmës që ruan Manastirin – Ça qejfi tani, ç’lidhje ka kjo me fotografi, po lëre tashti.

Roja Luan Kaso – Tani, ka lidhje, s’ka lidhje, më thuaj mos bëj më fotografi. Pikë.

Pronari i firmës që ruan Manastirin – Mos bëj më fotografi.

Roja Luan Kaso – Nuk bëj më fotografi. S’i bëj më. Nuk i bëj më ore.

Pronari i firmës që ruan Manastirin – E ka keqkuptuar sikur të kam vënë unë, të bëj foto…

Roja Luan Kaso – Jo ore, ç’punë ka. Unë përfaqësoj Luanin, ai përfaqëson D…, ti përfaqëson…

Pronari i firmës që ruan Manastirin – Mos i bëj më foto.

Roja Luan Kaso – Ok, në rregull.

Pronari i firmës që ruan Manastirin – Ti e di shumë mirë, ai nuk pranon foto. Mirë hajde.

Roja Luan Kaso – Në rregull.