Ndahet nga jeta mjekja Suela Muça, Gurma: Na pikëllove o shoqja e mirë, të qoftë e lehtë balta
Pedagogia dhe mjekja Obsetre-Gjinekologe Suela Muça ka ndërruar sot jetë.
Për ndarjen nga jeta të Suela Muçës ka reaguar dhe kryebashkiaku Sarandës Adrian Gurma.
“Nxitove të ikje shpejt Suelë! Na pikëllove o shoqja e mirë.
Të qoftë e lehtë balta?”, shkruan Gurma në rrjetet sociale.
Gjithashtu, ka reaguar dhe Universiteti i Mjekësisë dhe Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike.
“Me hidhërim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta e Dr. Suela Muça, mjekes Obsetre-Gjinekologe dhe pedagoges së Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike.
Dr. Muça u lind në vitin 07.02.1972. Në vitin 1997 u diplomua në mjekësi pranë Fakultetit të Mjekësisë, Universiteti i Tiranës dhe më pas në vitin 2002 u specializua si mjeke Obsetre-Gjinekologe. Dr. Muça ka punuar pranë Spitalit Gjinekologjik “Koço Gliozheni”.
Prej më shumë se 10 vitesh Dr. Muça ishte pjesë e stafit akademik të Universitetit të Mjekësisë në Tiranë, pranë Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike. Ajo ishte e karakterizuar nga sinqeriteti, mirësia dhe përkushtimi i lartë si mjeke dhe pedagoge.
Largimi nga jeta i Dr. Suela Muça lë pas një humbje të madhe për mjekësinë, universitetin, familjen, kolegët, studentët, pacientët e shumtë dhe cilindo tjetër që ka pasur fatin e mirë ta njohë. Universiteti i Mjekësisë dhe Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike, përcjellin ngushëllimet më të sinqerta për familjarët dhe njerëzit e dashur”, shkruan Universiteti i Mjekësisë dhe Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike. /Sarandanews.com/