Xhorxhi Vasili, Hasantahsinasi i plejadës së artë
I lindur në rrugicat me qerpiç të Tiranës, arsimuar në sokakët e kalldrëmta të Gjirokastrës, diplomuar në më të mirin universitet shqiptar( UT), Xhorxhi zgjodhi t’i kushtonte gjithë jetën Sarandës.
Për gati 40 vjet(prej vitit 1965) në arsim, si mësues dhe drejtues i Gjimnazit “Hasan Tahsini” ka një kontribut të pashoq për ngritjen e nivelit pedagogjik dhe arsimor në nivelet më të larta në Shqipëri.
Matematicien i shkëlqyer, që dijen e tij e përcolli në mjaft nxënës fitues olimpiadash dhe konkursesh të ndryshme.
Xhorxhi Vasili cilësohet një arkiv i gjallë për historikun e gjimnazit. Ka qenë bashkëpunëtor në ngritjen e muzeut të këtij institucioni dhe në botimin “Ne Hasantahsinasit”.
Organizator dhe komentator sportiv, bashkautor në historikun e basketbollit shqiptar, si dhe kontribut të veçantë në fushën e medias. Autor i majft shkrimeve dhe kumtesave në shkencë, sport, art dhe gazetari.
Njeri me vlera të rralla të humanizmit, etikës dhe qytetarisë, novator dhe kritik, veprimtar i shoqërisë civile.
Është vlerësuar si publicist me çmimin “Anton Mazreku”, si dhe për kontributin në arsim, i është akorduar nga Presidenti i RSH dekorata e lartë “Urdhëri Naim Frashëri i Artë”.
Mund të them pa asnjë rezervë se Xhorxhi Vasili është një nga personalitetet poliedrike më të shkëlqyera të Sarandës, për të cilin i jemi mirnjohës pafund dhe ndihemi krenar.