Merr formë Lungomare 2 në Vlorë, hapësirë publike fantastike me një plazh me 5 yje
LungoMare2 në Vlorë po merr formë dita-ditës me zgjatimin e shëtitores, përmes një plazhi publik, me dy pishina publike, një olimpike dhe një për fëmije, parkim nëntokësor si dhe një shkallare panoramike.
Kështu u shpreh sot deputeti i Partisë Socialiste në qarkun Vlorë, Damian Gjiknuri, ndërsa ndau disa foto nga ky kantier ndërtimi në qytetin bregdetar.
Në Lungomare 2 në Vlorë po merr jetë një tjetër hapësirë publike fantastike, me një plazh me 5 yje, me pishinë olimpike dhe pishinë për fëmijë, si edhe shëtitoren që lidh pa ndërprerje Skelën me Ujin e Ftohtë.
Njëkohësisht në këtë zonë do të ketë një parkim të dedikuar me 160 vende, do të ketë vende të dedikuara për personat me aftësi të kufizuar dhe ambiente shërbimi.
Lungomare 2 është nga investimet më të bukura dhe atraktive të realizuara në bregdet me një standard shumë të lartë projektimi dhe zbatimi dhe parashikohet të përfundojë brenda pranverës së ardhshme.