Delvina-Butrinti, rrëfimet e emocioneve të këtij derbi
Kjo është java e derbit dhe mezi pritet nga tifozët pavarësisht se nuk do të jenë të pranishëm në shkallët e stadiumit.
Njëra skuadër e ka nisur mirë kampionatin duke u renditur e para me kaq javë sa janë luajtur, tjetra ka probleme dhe nuk është në formën më të mirë. Gjithsesi, në një derbi vështirë të thuash kush niset si favorit.
Në Delvinë vendasit do presin Butrintin në ndeshjen që shumë e cilësojnë si derbi i jugut. Mua ma kujtoi dje me mesazh Fatjoni dhe më sugjeroi ta punoja një shkrim.
Fatjoni, lojtar dhe patjetër tifoz i Delvinës (dikur Bistrica, ndërsa për tifozët akoma edhe sot Troja) më nisi edhe “Këngën e Bistricës”, 65 mijë shikime në YouTube.
Për të qenë asnjanës, pyeta edhe Vasilin, ndjekës i rregullt i faqes, dikur lojtar i Butrintit të Sarandës për përjetimet e tij.
“Më kujtohet kur isha fëmijë e bashkë me shokët shkonim në Delvinë për të parë ndeshjet. Rivalitet i madh jashtë fushe se brenda saj nuk të falte Bistrica kur luante në shtëpi.”
Më pas u bë vetë futbollist.
“Para derbit të parë s’më zinte gjumi. Na ra ta luanim në Gjirokastër. ‘Mos u ktheni në Sarandë pa fituar’ na thonin shokët.”
Është rivalitet i veçantë përtej faktit se dy ekipet kanë luajtur gjithmonë në kategoritë e ulëta.
“Butrinti ka pasur ekip më të kompletuar, por Delvinën e ka karakterizuar mosha e re mesatare dhe grinta e madhe. Ne lojtarët mund të ishim shokë por në fushë nuk e njihnim njëri-tjetrin.”
Tregimi vazhdon me një ndeshje kupe.
“Kur u ngjitëm në kategorinë e parë na ra të luanim me ekipe si Partizani, Besa, Kukësi, Lushnja. Stadiumi mbushej plot por ne prisnim të luanim kundër Delvinës në derbi. Na ra shorti në kupë. Të lumtur siç ishim donim të fitonim me goleadë meqë luanin një kategori më poshtë. Por nuk ja dolëm. Fituam vetëm 3-1.”
Butrini kryeson në grupin e tij me pikë të plota. Delvina ndjek por siç thamë më lart në derbi nuk ka favoritë. Për më tepër, “trojanët” luajnë në shtëpi…
Marrë nga faqja Pjesa e Tretë