‘Nuk i shpëtonim dot valës së dytë’/ Reagon kryetari i bashkisë Gjirokastër për rastet e shtuara me COVID: S’ka lidhje me “Retron”
Kryebashkiaku i Gjirokastrës, Flamur Golemi, ka bërë një reagim të gjatë lidhur me situatën e krijuar prej pandemisë dhe akuzat kryesisht nga opozita se kanë ndikuar disa festa për rritjen e rasteve të të infektuarve. Gjirokastra ka qenë ditët e fundit e dyta pas Tiranës për shkallën e përhapjes së Covid 19. Por kryebashkiaku jep një version tjetër përse qyteti që dikur ishte zonë e gjelbës sot është një zonë e kuqe.
“Natyrisht që nuk pretendoj se kam të vërtetën e madhe, aq më tepër kur kemi përballë një virus të pabesë, që godet pikërisht atëhere kur ti mendon se ka ikur dhe instiktivisht mund të kesh ulur vigjilencën. Por siç thonë specialistët e shëndetit publik, kjo është një valë e dytë më agresive se e para dhe për aq kohë sa ka rritje të numrave në të gjithë vendin dhe botën mbarë, s’ka se si të bënte përjashtim Gjirokastra. Ne nuk jemi një ishull i izoluar nga të tjerët. Rritja e numrit ditor të testimeve dhe gjurmimeve nga strukturat shëndetësore shtetërore e private, hapja e shkollave, universitetit dhe një fluks i shtuar lëvizjesh drejt zonave të tjera urbane, kanë ndikuar për rritjen e rasteve. Po sigurisht që disa qytetarë kanë demonstruar edhe një papërgjegjshmëri duke mosrespektuar masat kufizuese, duke mos u vetëkarantinuar teksa ishin në pritje të përgjigjes së tamponit. Policia dhe asnjë strukturë tjetër nuk i ka kapacitetet të monitorojë non-stop këdo për zbatimin e karantinës. Duhet së pari të jemi vetë të përgjegjshëm”, thotë Golemi.
Lidhur me disa akuza kryesisht nga opozita se parada e makinave “Retro” ishte një festë që nuk duhej organizuar sepse ndikoi në përhapjen e Covid, kryetari i Gjirokastrës shprehet.
“Ka disa njerëz, të cilët bëjnë pjesë tek ai takëm për të cilin ju fola më sipër, që e lidhin shtimin e rasteve me ekspozitën e makinave “RETRO”, një event i programuar kohë më parë dhe i zhvilluar sipas të gjitha protokolleve antiCovid, aq më tepër në ambient të hapur. Pjesëmarrja ishte e lirë! Cinikët që e quajnë “paradë propagandistike e rilindjes” nuk e kanë me ekspozitën në vetvete, por ata s’e durojnë dot faktin që Gjirokastra po kthehet në një destinacion fundjavash dhe se Pazari i restauruar është sot një hapësirë fantastike, për t’u vizituar dhe për të bërë biznes”, shkruan Golemi.
Në fund ai bën thirrje për të mos e ulur vigjilencën për asnjë moment sepse ky është një virus i pabesë, që të godet atëhere kur nuk e pret.
“Nëse vetë jeni të bindur se e mundni Covid 19 sepse jeni të rinj apo keni imunitet të fortë, nuk ua kanë për borxh prindërit dhe gjyshërit që t’ua çoni në shtëpi. Mendoni për ta! Mos ua rrezikoni jetën sepse ju thjesht nuk rrini dot pa u mbledhur nëpër kafene, nuk mbani dot maskë, nuk lani dot duart shpesh apo nuk ruani distancimin social. Ju lutem, thjesht respektoni protokollet antiCovid në çdo hapësirë dhe ambient ku ndodheni. Ne do ta fitojmë këtë betejë. S’ka asnjë dyshim!”, shkruan kryetari i Gjirokastrës i cili me profesion është mjek.