Pse e dua mandatin e tretë?
Kryeministri Edi Rama me anë të një postimi në rrjetet sociale ka treguar se përse kërkon nga shqiptarët që t’i japin një mandat të tretë në zgjedhjet e 25 prillit.
Sipas tij, shqiptarët duhet ta votojnë që të vazhdojë punën “për të arritur aty ku ua kemi detyrim fëmijëve tanë”, ose përndryshe ky vend nuk do ta mbyllë hendekun e madh mes të shkuarës dhe të ardhmes.
Rama shprehet se ky mandat i tretë nuk do të jetë për të, por për Shqipërinë.
“Pse e dua mandatin e tretë?
Sepse kantieri ynë për Shqipërinë që duam në çdo fushë është mu si kjo urë sot, me kollonat mbajtëse të ngritura e me shtratin e saj që po hidhet mbi to; falë 7 vitesh përpjekje për të mbyllur hendekun e madh mes të shkuarës e të ardhmes, ku ishte Shqipëria kur ne morëm detyrën në shtator 2013.
Që të arrimë aty ku ua kemi detyrim fëmijëve tanë, duhet të vazhdojmë punën, përndryshe ky vend jo vetëm s’do ta mbyllë hendekun që po ngushtojmë çdo ditë me përpjekje të mëdha, po avazi i vjetër i shkatërrimit do të rinisë nga e para, njësoj siç ka ndodhur sa herë ata janë rikthyer në detyrë.
Ja pse mandati i tretë nuk është për mua, po për Shqipërinë”, shkruan Rama.