Covid-19/ Mbyllet edhe Gjykata e Apelit në Vlorë
Edhe Gjykata e apelit në Vlorë, është mbyllur për shkak të pandemisë Covid-19, duke shënuar kështu mbylljen në të dy shkallët në qytetin e Vlorës. Shkak është bërë infektimi i një gjyqtari çka ka pezulluar aktivitetin në këtë gjykatë .
Vendimi për mbylljen e gjykatës është marrë nga Këshilli i Gjykatës. Sipas burimeve mësohet se vetëm një person rezultoi i infektuar ndërsa menjëherë është kryer dezinfektimi i ambienteve të Gjykatës dhe i gjithë stafi ka hyrë në karantinë.
Siç mësohet në total 6 është numri i gjyqtarëve në këtë gjykatë, për të cilët Këshilli i saj ka vendosur që të kthehen në punë në datën 20 Nëntor .
Më herët ka qenë gjykata e rrethit gjyqësor ajo që ka mbyllur e para dyert deri në 11 nëntor, pas infektimit të 6 gjyqtarëve të saj , ndërsa i janë nënshtruar kryerjes se tamponit edhe sekretaret si dhe të tjerë punonjës të saj. Në të dy shkallët e gjyqësorit në Vlorë do të punohet vetëm me çështje të emergjencës si dhe do të zhvillohen seancat e vlerësimit të masave të sigurisë gjyqësore.