Poeti dhe kineasti i shquar Petrit Ruka nderohet me titullin “Honoris Causa”, Gurma: Respekt për poetin
Universiteti Europian i Tiranës, në vitin e 15-të akademik, ka nderuar sot poetin dhe kineastin e shquar shqiptar Petrit Ruka me titullin “Honoris Causa”.
Në një ceremoni të veçantë ku veç të tjerësh morën pjesë kryeministri Edi Rama, Ministrja e Arsimit Evis Kushi, Presidenti i UET Selami Zhepa, si dhe një sërë intelektualësh, u vlerësua vepra letrare e Petrit Rukës. Ndërkohë, theksi u vendos edhe tek kontributi i tij i veçantë artistik dhe intelektual në historinë e Shqipërisë.
Mes të tjerash, në fjalën e tij Zhepa u shpreh se ndërsa shikojmë me shqetësim dështimin e përballjeve kulturore, kontribute të tilla përbëjnë një sfidë të vërtetë.
Nga ana tjetër, profesoresha Nevila Nika lexoi rekomandimin e saj për dhënien e këtij titulli ku çmoi lart veprimtarinë e tij poetike dhe atë kinematografike.
Gjithashtu, shefi i qeverisë Edi Rama çmoi talentin e Rukës duke nënvizuar se “me poezitë e të cilit përjetohen motivet e Shqipërisë së dikurshme, por dhe të kohës moderne; për krijimtarinë poetike, që një gjymtyrë e ka të zhytur në traditën polifonike dhe tjetrën në poezinë e kultivuar, vargu i të cilit prehet tek tradita dhe pikëtakimi me bashkëkohësinë”.
Këtij momenti ju bashkua edhe shkrimtari i njohur Pëllumb Kulla i cili foli nga SHBA për kontributin poetik të Rukës në historinë e poezisë shqiptare dhe atë të filmit shqiptar.
Poeti Ruka duke marrë titullin falenderoi organiztorët, autoritetet e UET, botuesin e librit “Andej baltë këtej erë”, kryeministrin Edi Rama, ministren e Arsimit Evis Kushi si dhe miqtë e bashkëpunëtorët e tij të jetës.
“Honoris Causa” është titulli akademik që një universitet apo një tjetër institucion që jep tituj, i akordon si mënyrë nderimi dhe mirënjohje për kontributet, një personaliteti apo figure të shquar në një fushë të caktuar.
“Andej baltë, këtej erë”, libri më i fundit i Petrit Rukës, botim i UET Press
Poezi, dashuri, fëmijëri! Mes dhjetëra fjalëve që mund të përshkruajnë një njeri dhe një poet si Petrit Ruka, zgjodha pikërisht këto të treja, sepse ato duket se janë kryekëput kryefjala e jetës së tij. Ne i lexojmë poezinë, por mes vargjeve dhe fjalëve të përzgjedhura që godasin dhe çjerrin membranën më të thellë të shpirtit tonë, kuptojmë dashurinë e poetit. E kjo dashuri na vjen si një thirrje për rizgjim, për të kaluarën, për legjendat, për këngët popullore, për trashëgimë më të vyer të një populli, një thirrje e parezistueshme për të rigjetur fëmijërinë.
Këto tre fjalë i gjejmë të thurura si fijet e perit në një pëlhurë, në librin më të ri të Petrit Rukës, “Andej baltë, këtej erë”, botim i UET Press, në të cilin sjell 15 balada arbërore, dedikuar 15 njerëzve që mbajnë të kapur fort fijet e zemrës së tij. Libri përmbyllet me disa ese dhe analiza, mbi trajtimin dhe gjuhën e përdorur nga autori, por mbi të gjitha çmohet lart kontributi i pazëvendësuseshëm që sjell në veçanti ky libër dhe në përgjithësi gjithë krijimtaria e Petrit Rukës.
Nga besa e Kostandinit që se tret varri, te koka e Ali Pashës që kërkon trupin e saj, e deri te Hankua që ngjall të vdekurit dhe vdes të gjallët, lëvizin mijëra ndjesi e përjetime, që herë të shkundin e të dridhin si purtekë, e herë të qëllojnë si shigjetë duke të zgjuar përfytyrime vërtet të llahtarshme për ngjarje e histori që mbulohen nga pluhuri i harresës, por që kur rikthehen në ditët tona janë më tonditëse se çdo lloj pandemie.
Kështu janë, biro baladat,
E ndezin zjarrin nga hiri…
Janë këto fjalët e autorit drejtuar birit të tij, teksa i rrëfen legjendën e Kostandinit të vogël, ardhur me titullin “Nëntë vjet e nëntë ditë”, një nga ato legjenda për shqiptarë të fortë si guri dhe me zemër burri. Siç e ka shprehur vetë autori, ai është një dashuronjës i marrosur pas baladave dhe duket se kjo magji e fjalës së tij, bën të marroset çdo lexues i tyre. Teksa më tej e vazhdon ‘profecinë’ e tij me vargjet:
Me magji të tillë baladat
Çmendin njerëzit një mijë vjet…
Në parathënien për këtë baladë, autori zbulon një tjetër element që ka influencuar mirëfilltazi në krijimtarinë e tij, fëmijëria. Këngën “Kostandini i vogël” e ka dëgjuar për herë të parë nga nëna në moshën 6-7 vjeçare dhe prej atëherë ajo e ka shoqëruar gjithë jetën, mes leximesh dhe provimesh, duke i shkaktuar gjithmonë të njëjtat ‘simptoma’, lënie pa mend dhe çrregullim frymëmarrje. Gjatë kohës që punoi si mësues, në fillim në disa fshatra dhe pastaj në gjimnazin e Tepelenës, kuptoi se kjo legjendë kishte të njëjtin efekt edhe për nxënësit e tij dhe aty i shkreptiu ideja që të shkruante baladën, si një shërbim për të vegjëlit dhe të mëdhenjtë e kohës sonë.
Poeti Petrit Ruka e ka theksuar shpesh ndikimin e fëmijërisë në poezinë e tij, duke na lënë hapësirë të përfytyrojmë fëmijën e zgjedhur nga poezia, atje në një fshat të Tepelenës, të zymtë, të ftohtë, gri nga gurët e shtëpive dhe të zi nga rrobat e grave.
““Poezitë e para” që kam lexuar, pa ditur shkrim e këndim, ishin ato të nënës sime, që, herë pas here, qante-këndonte pa lotë, në oborr të shtëpisë, të vdekurit e saj”, është shprehur Ruka, duke vulosur me fjalët: “takimi i parë me artin është një ninull a këngë e improvizuar prej nënës, që po ta jep bashkë me qumeshtin e gjirit”.
Bashkë me folklorin marrë nga qumështi i nënës, Ruka duket se ka marrë edhe fatin e ‘ngujimit’ në poezi. Tentativat e tij për të zgjedhur gazetarinë, e më pas kalimi në mësuesi kanë zgjatur jo aq sa ai do të dëshironte, duke e orientuar gjithnjë e më tepër drejt poezisë e më pas kinematogrfisë, kur për disa vite punoi si skenarist dhe regjisor. Një jetë me vepra, prodhime dhe lënia si trashëgimi fjalën e shkruar, nuk e kanë bërë poetin të mos ketë pengje jete.
“Veç të tjerash, ky libër ka edhe një peng të rëndë, të ndreqja me të sadopak gabimin që për rrethana të caktuara lashë mësuesinë, një nga punët më fisnike që mund të bëjë njeriu në këtë botë dhe që e kam dashur me gjithë shpirt tërë jetën…”, shprehet poeti.
Shkrimi i këtyre 15 baladave ka qenë një tundim prej vitesh i autorit, sepse siç e ka shprehur edhe vetë në intervista të mëparshme, mbante brenda vetes frikën e shtimit të ndonjë vezullimi të ri. Por të gjitha frikërat u rrëzuan si kuajt në betejë nga dashuria, si e vetmja mënyrë e poetit për t’u ndjerë mirë, e për të dashur gjithçka, njeriun, vendlindjen, Shqipërinë. “Është një sfidë e mrekullueshme edhe sikur vetëm të dështosh me secilën prej tyre”, shprehej autori.
Tashmë që libri i tij ka parë dritën e botimit, e vetmja gjë që pritet është vlerësimi, siç ka ndodhur me vepra të tjera të autorit, të pritura mjaft mirë nga kritika dhe lexuesi. Sepse veprat e Petrit Rukës janë gurët e çmuar, të rrallë, shumë të rrallë, por të patjetërsueshëm, që nuk iu humbet vlera me kohën, përkundrazi, koha i përjetëson. Ruka, nuk është nga ata poet që reklamohet me libër të ri në stendat e çdo panairi, sepse librat e tij marrin kohën e tyre për t’u përligjur, për t’u jetësuar ende pa dalë në botim, prandaj edhe i këshillon poetët e rinj, që jo vetëm të lexojnë, por mbi të gjitha të marrin kohë dhe të përpunojnë krijimet e tyre.
“Balanda arbëreshe u vu në qendër të këtij libri për të cilin më janë dashur shumë mundime, derisa u binda se nuk kisha ç’bëja më shumë. Shpresoj t’ia kem dalë mbanë, ky do të ishte një gëzim i vërtetë”, shkruan ndër të tjera Ruka në “Andej baltë, këtej erë”.