Greqia: Zgjerohemi me 12 milje në Jon, pastaj shkojmë në Hagë me Shqipërinë
Kryeministri grek Qiriako Mitsotakis thotë se Greqia planifikon fillimisht të zgjerohet me 12 milje në detin Jon, pastaj do ta çojë çështjen e kufirit detar me Shqipërinë, në Hagë.
Deklarata erdhi pas një replike me kreun e opozitës Aleksis Tsipras, se Greqia ka një pakt me Shqipërinë për të shkuar në Gjykatën Ndërkombëtare për Zonat Ekonomike Ekskluzive pas zgjerimit të Greqisë në ujërat territoriale.
Sipas Mitsotakis, zgjerimi me 12 milje është një e drejtë e patjetërsueshme e vendit të tij, që nuk mund të hidhet në diskutim dhe as të kushtëzohet.
“Në parim ka një marrëveshje me Shqipërinë për të referuar çështjen e Zonës Ekskluzive Ekonomike në Hagë pasi Greqia të ketë zgjeruar ujërat e saj territoriale”, deklaroi Mitsotakis.
“Kam dëgjuar shumë për sovranitetin dhe të drejtat sovrane. Më lejoni të sqaroj edhe një herë: E drejta për të zgjatur 12 milje është një e drejtë e njëanshme e patjetërsueshme e vendit. Nuk diskutohet, nuk kushtëzohet.
Qeveria Demokracisë së Re ishte e para që e bëri këtë, duke filluar në Jon. Dihet gjithashtu pse ujërat territoriale në Egje nuk janë zgjatur nga asnjë qeveri. Kjo nuk do të thotë që vendi nuk ka të drejtë”, u shpreh ai, duke iu referuar përplasjeve me Turqinë.
Lajmin se Greqia ka ndërmend të zgjerojë ujërat territorialë, pastaj të shkoj në Hagë, e ka konfirmuar më pas edhe vetë Dendias.
Në një intervistë, ai tha se “pala greke ka rënë dakord me Shqipërinë për të punuar së bashku që të dorëzojmë çështjen e delimitimit të zonave detare në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, pas përfundimit të procesit të zgjerimit të ujërave territoriale me 12 milje.”
I pyetur për qendrimin e palës shqiptare, ai tha se për sa kohë që ka vullnet, procesi nuk do të jetë problem dhe se Greqia po krijon një marrëdhënie strategjike me Shqipërinë.
Ai tha se pala shqiptare është shumë pozitive në një drejtim të tillë.