Pandemia mund të rezultojë e favorshme për punëtorët sezonalë shqiptarë në Greqi
Ndërkohë që fillimisht pandemia e COVID-19 pengoi fluksin e punëtorëve sezonalë që shkojnë nga Shqipëria në Greqi, ajo gjithashtu i shtyu të dy vendet të mendonin se si ta rregullonin më mirë këtë fenomen.
Nga Fjori Sinoruka, Merxhan Daci
Romeo Dërka zakonisht shkon në jug të Greqisë dy herë në vit, në fillim për të krasitur pemë ulliri në verë de pastaj përsëri në vjeshtë për vjeljen e tyre.
Puna e ndihmon në aspektin financiar familjen e tij në Berat, në Shqipërinë e mesme, një qytet i bukur i mbrojtur nga UNESCO, plot me shtëpi të bardha osmane të rreshtuara në rrëzë të kodrave, por ku është e vështirë të gjesh një punë që paguhet mirë.
Këtë vit, 28-vjeçari Dërka humbi punën e verës dhe druhet se do të humbasë edhe vjeljen e ullinjve.
“Po ushqehemi me ato pak kursime që na kanë mbetur”, tha Dërka. “Me sa shoh, për ne nuk ka shpresë. Nuk është se jam vetëm unë. Ka edhe shumë të tjerë si unë, që i ushqejnë familjet e tyre me punë sezonale.”
Mijëra familje si ajo e Dërkës mbështeten te puna e përkohshme në Greqinë fqinje, por fluksi i punëtorëve është ndërprerë këtë vit nga pandemia e COVID-19, e cila mbylli kufijtë dhe vuri në vështirësi shumë biznese.
Pandemia ka rezultuar një sfidë të madhe për industrinë bujqësore në Europë, e cila varet nga importi i forcës punëtore sezonale të lirë.
Të gjendur përballë perspektivës që frutat mund të mos vilen dhe raftet e supermarketeve të mbesin bosh, qeveritë në të gjithë kontinentin hoqën dorë nga kufizimet e udhëtimit për dhjetëra mijëra punëtorë sezonalë, duke i lejuar ata të fluturojnë, për shembull, nga Rumania dhe Bullgaria në Holandë, Gjermani dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Por ndërsa njerëz të ngjashëm me Dërkën kanë humbur punën tek e cila mbështeten, pandemia ka nxitur të menduarit krijues midis qeverive, të atij lloji që ekspertët thonë se duhet të ishte bërë prej kohësh.
Pas vitesh të tëra një sy qorr para fluksit të punëtorëve sezonalë të paligjshëm dhe shkeljeve të shpeshta të të drejtave të tyre të punës, në maj të këtij viti qeveria greke dhe ajo shqiptare nënshkruan një marrëveshje që garanton proceduat e shpejta për deri në 10,000 shqiptarë, të cilët do të mund të punojnë kryesisht në bujqësi në Greqi, duke hequr dorë nga kërkesa e zakonshme për vizë.
Duke kërkuar të shmangin procesin e kushtueshëm dhe të mundimshëm të vizave, shqiptarët zakonisht përfitojnë nga periudha tre-mujore që u lejohet të qëndrojnë në zonën Shengen në mënyrë që të punojnë në fermat greke, pavarësisht nga fakti që teknikisht e kanë të ndaluar. Ose ata thjesht kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme. Sipas marrëveshjes së majit, fermat greke paraqesin një kërkesë për punëtorë dhe shqiptarët aplikojnë për punë. Çdo gjë është e rregulluar.
“Është hera e parë që në 30 vjet adresohet diçka e tillë”, tha sociologia politike dhe ekspertja e migracionit Eda Gemi, bashkëautore e një studimi mbi tendencat e emigrimit në Greqi në 2019.
“Për herë të parë Greqia njeh dhe adreson çështjen e punëtorëve sezonalë jo më përmes vizave, sepse kjo nuk funksiononte si mekanizëm”, tha Gemi për BIRN. Tani, tha ajo, Greqia po thotë: “Unë e di që ju përdorni Shengenin, e di që ju punoni, më lejoni ta legalizoj këtë gjë.”
“Kemi një situatë fitimi të trefishtë. Këtu fiton individi, vendi i origjinës dhe vendi pritës.”
Pandemia nënvizon rëndësinë e punës sezonale
Sipas Gemit, një pedagoge e vjetër në Universitetin e Nju Jorkut në Tiranë, shqiptarët zënë rreth 68 për qind të emigrantëve në Greqi.
Vitin e kaluar, 1,944 shtetas shqiptarë u kapën duke u përpjekur të kalonin në mënyrë të paligjshme kufirin me Greqinë, sipas agjencisë kufitare të Bashkimit Europian, Frontex.
Por pandemia, tha Gemi, ka nënvizuar rëndësinë e punëtorëve sezonalë për ekonomitë e vendeve europiane.
“Aktualisht në vitin 2020, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme greke, veriu i Greqisë është shumë i varur nga forca e punës që vjen nga vendet e Ballkanit”, tha Gemi për BIRN. “Sipas këtyre të dhënave, thuhet se kishte rreth 7,000-8,000 vende të lira pune që sipërmarrësit grekë po presin t’i plotësojnë.”
“Por kjo ishte vetëm për bujqësinë”, tha ajo. “Ne nuk kemi të dhëna për turizmin.”
Pavarësisht kërkesës dhe marrëveshjes së majit midis Athinës dhe Tiranës, shumë shqiptarë humbën punën.
Tridhjetë vjeçari Olti Xheka, nga qyteti Bulqizës në Shqipërinë e Veriut, tha për BIRN në korrik se ai nuk qe në gjendje të paguante tarifën e aplikimit, zakonisht midis 100 dhe 200 euro, në një agjenci private punësimi, e cila do të merrej me procedurën.
“Unë bëj çfarëdolloj pune”, tha ai. “Pastroj edhe banjot. Nuk më intereson. Duhet thjesht të fitoj para se të mbaj familjen time.”
Nazmi Dervishaj, i cili ashtu si Dërka është nga Berati, nuk kishte qenë në gjendje të merrte një kontratë pune me fermerë grekë, siç kërkohet në marrëveshjen e majit midis Greqisë dhe Shqipërisë. Dërka kishte të njëjtin problem.
“Kam punuar për shumë vite në Greq. Kam punuar me rrush, ullinj, kryesisht në zonën e Korinthit”, tha 57-vjeçari për BIRN, duke folur gjithashtu në korrik. “Këtë vit doja të shkoja, por është shumë e vështirë. Me paratë që fitoja atje, unë kujdesesha për familjen time këtu në Shqipëri.”
Ylber Gjeta, drejtori i Agjencisë Shqiptare të Punësimit që merret me ndërmjetësimin midis punëtorëve dhe punëdhënësve të mundshëm në disa vende europiane, tha se kishte pasur “interes të madh” për punë në Greqi.
“Ky është një punësim që zgjat 2-3 muaj në fushën e vjeljes së pambukut, seleksionimit të perimeve, vjeljes së ullirit, sipas stinëve.”
Interesi, tha ai, është veçanërisht i lartë midis shqiptarëve në zona të largëta dhe të varfra.
Shfaqet një mundësi
Kosta Barjaba, një akademik që fokusohet tek emigracioni, tha se pandemia kishte paraqitur mundësi.
“Me shpërthimin e pandemisë, për shkak të ekonomisë kryesisht bujqësore në rajonet greke përgjatë kufirit me Shqipërinë, pati një ringjallje të fluksit nga Shqipëria në rajonet kufitare me Greqinë. Fluksi emigrues nuk bëri asgjë tjetër, veçse iu përgjigj hapësirës së krijuar në tregun e punës në Greqi për punëtorët e bujqësisë.”
“Qeveria greke e ka kuptuar që meqenëse bujqësia greke ka hapësirë punësimi, lehtësimi i procedurave për pranimin e punëtorëve nga Shqipëria është i nevojshëm dhe i dobishëm për dy arsye: kostoja më e ulët e fuqisë punëtore të huaj dhe nivele akoma të larta të zhvendosjes së popullsisë lokale drejt qyteteve”, Barjaba tha për BIRN.
“Tashmë është një fakt i pranuar që pritja e emigrantëve, ndër të tjera, ka pasur një efekt tjetër të dyfishtë në Greqi – ringjalljen e bujqësisë dhe zonave rurale.”
Ndërkohë që pandemia shkaktoi një konfuzion fillestar, tha ai, ishin hapur gjithashtu mundësi për të rregulluar më mirë punën sezonale.
“Pavarësisht pengesave ose konfuzionit të krijuar në fillim të pandemisë, duket se pandemia, pavarësisht vështirësive, po krijon disa mundësi të cilat po kapen nga qeveritë.”
Gemi vuri në dukje, megjithatë, se mbetej e paqartë se si do të përfitonte Shqipëria nga marrëveshja me Greqinë, veçanërisht në çështjen e pensioneve dhe sigurimeve.
“Nuk e di se si përfiton pala shqiptare nga kjo lloj lëvizshmërie”, tha ajo. “Deri më tani, po flisnim për palën greke”.
“Është shumë interesante që qeveria shqiptare ka nënshkruar marrëveshje bilaterale për pensionet dhe sigurimet me shumë vende të tjera përveç Italisë dhe Greqisë.”
Dërka, i cili humbi punën e tij në Greqi këtë vit, tha se shpresonte për më mirë në të ardhmen.
“Ne shpresojmë”, tha ai. “Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të shpresojmë.”/ BIRN