Bashkitë shtojnë me qindra punëtorë, Delvina kryeson në jug. Ja ku renditen Saranda, Finiqi dhe Konispoli
Numri i të punësuarve në 61 bashkitë e Shqipërisë arriti në 32,939 vetë në vitin 2019, me një rritje prej 1235 vetësh ose 4% në krahasim me vitin 2018. Në krahasim me me vitin 2015, ose periudhën para reformës, numri i të punësuarve në administratën vendore është rritur me mbi 13 mijë vetë ose 67% pavarësisht se ironikisht reforma e administrimit zgjedhor u prezantua si një masë e domosdoshme për të ulur shpenzimet e pushtetit vendor për paga dhe për të rritur shpenzimet për investime publike, të tilla si rrugë, ujësjellësa apo infrastrukturë arsimore.
Të dhënat e publikuara nga Ministria e Financave tregojnë se 41 nga 61 bashkitë shënuan rritje të numrit të punëtorëve gjatë vitit 2019 ndërsa pjesa tjetër shënuan rënie.
Tirana është bashkia me numrin më të madh të punëtorëve në vend dhe me rritjen më të madhe gjithashtu. Në vitin 2019 ajo pati 6,728 punonjës, ose 580 punonjës më shumë se sa në vitin 2018, me një rritje prej 9%.
Durrësi është bashkia e dytë më e madhe në vend me 1,571 punonjës. Gjatë vitit të kaluar, Durrësi, i cili ka mbetur pa kryebashkiak për shkak se kryebashkiakja e dalë nga zgjedhjet pa garë verën e kaluar dha dorëheqjen, shtoi 25 punonjës.
Elbasani shtoi 66 punonjës duke arritur në 1374, pasuar nga Fieri me 1311 punonjës.
Disa bashki të vogla kanë shënuar rritje dramatike të numrit të punonjësve gjatë vitit të kaluar. Kamza, e cila i kaloi nën administrim Partisë Socialiste përmes kryebashkiakut Rakip Suli, shtoi 139 punonjës me një normë rritjeje prej 28% në krahasim me vitin 2018. Po kështu bashkia e vogël e Matit shtoi 87 punonjës nga 290 që kishte më 2018 duke e rritur forcën e punës me 30%. Bashka e vogël e Klosit rriti numrin e punonjësve nga nga 98 në 214 vetë.
Nuk mbetet pas as Bashkia e Vlorës, e cila shtoi numrin e punonjësve në 1002, rreth 9% rritje në krahasim me vitin 2018.
Përkundër këtyre bashkive, Lezha shkurtoi numrin e punonjësve me 100 por ky shkurtim nuk duket të jetë pasojë e ndonjë politike për kursim. Sipas planit fillestar, Lezha kishte ndër mend të mbante një forcë punëtore prej 862 punonjësish, ndërsa pati realisht 779 vetë.
Shqipëria ndryshoi në tërësi organizimin e vet territorial në vitin 2015, duke krijuar 61 bashki me përbërje urbane dhe rurale nën premtimin se shpërbërja e mbi 400 njësive të administrimit të territorit do të sillte për rrjedhojë një shkurtim të numrit të të punësuarve, rritje të eficiencës dhe rritje të investimeve publike. Pesë vite më vonë, numri i të punësuarve në pushtetin vendor jo vetëm që nuk është ulur, por vijon të rritet.
Shqipëria është aktualisht një vend në tkurrje demografike ku shumica dërrmuese e bashkive kanë rënie të popullsisë për shkak të emigrimit dhe lindshmërisë së ulët. Pavarësisht kësaj, numri i të punësuarve në administratën shtetërore vijon të rritet.
Përgjatë katër viteve të fundit, administrata publike në Shqipëri ka shtuar mbi 8,700 të punësuar për një total prej 172,745 vetësh.
Pjesa më e madhe e të punësuarve shtesë kanë gradën e specialistit ndërsa regjistrohet një rritje veçanërisht e madhe në numrin e drejtorëve, plot 2,582 vetë të shtuar kryesisht në vitet 2017-2019.
Të punësuarit në sektorin publik ndahen në të punësuar të administratës qendrore, në të punësuar në pushtetin vendor dhe në të punësuar në sektorin ekonomik publik, pra në kompanitë e ndryshme nën pronësi publike.
Numri i punonjësve sipas bashkive mund të gjendet këtu: