“Erë me shpejtësi 33 milje në orë dhe dallgë deri në 3 metra”, Drejtoria e Përgjithshme Detare paralajmëron për përkeqësimin e motit në vend
Drejtoria e Përgjithshme Detare ka paralajmëruar që, si rezultat i përkeqësimit të kushteve atmosferike, zonat bregdetare do të përfshihen nga erëra të forta me shpejtësi deri në 33 milje në orë, ndërsa dallgët do të arrijnë deri në 3 metra lartësi.
“Vendi ynë do të përfshihet nga era të forta dhe shi në formë rrebeshi me intesitet të lartë. Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë subjekteve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë , duhet të marrin të gjitha masat e nevojshme për të qënë të sigurt dhe parandaluar çdo rrezik të mundshëm për shkak të kushteve të përkeqësuara të motit”, thotë Drejtoria e Përgjithshme Detare.
Gjatë paradites, autoriteti portual ka vendosur të pezullojë lundrimin në Vlorë. Tragetet e linjës Vlorë-Brindisi nuk kryen itinerarin e zakonshëm për shkak të motit të keq të shoqëruar me erë të fortë. Lundrimi është pezulluar edhe për mjetet e peshkimit dhe mjetet e vogla lundruese.
Ndërkohë, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) u ka dërguar një shkresë prefekturave Shkodër, Lezhë, Fier, Vlorë dhe Gjirokastër për t’i paralajmëruar se në veriperëndim dhe jug të vendit priten stuhi dhe reshje të mëdha shiu dhe u kërkon të marrin masa për zonat që rrezikojnë të përmbyten.