Nga zetorist në Sarandë tek konflikti në Elbasan, familjarët flasin për Lefter Zhidrun
Lefter Zhidru, 71-vjeçari që u ekzekutua ditën e djeshme në Elbasan nga forcat RENEA do të varroset në fshatin Xarrë të Sarandës, në vendlindjen e tij. Tvklan.al ka mësuar se familjarët e tij pasi e kanë tërhequr trupin e pajetë të të moshuarit nga morgu janë nisur për të kryer ceremoninë mortore atje.
Kunata e të ndjerit, Sofia Zhidru, ka treguar gjatë një bisede telefonike për Tvklan.al se 71-vjeçari nuk ka qenë polic siç thuhet në media. Ajo thotë se ka qenë një prej djemve të Zhidrut oficer policie në qytetit bregdetar të Sarandës. Familjarët shprehen se detajet e publikuara në media për Lefter Zhidrun janë gënjeshtra.
Sofia Zhidru: Ça u thanë dje nga mediat ishin të gjitha gënjeshtra.
Pyetje: Cilat pjesë sepse mediat thanë që ai ka qenë polic? A ka qenë polic?
Sofia Zhidru: Jo nuk ka qenë polic, djalin e tij e ka pasur polic. Djali ka qenë oficer policie në Sarandë. Ai ka qenë zetorist në fshat në Sarandë. Ka hapur një lokal në Elbasan për vete, punonte për djersën e ballit.
Ajo është shprehur më tej se 71-vjeçari nuk ka pasur asnjë problem shëndetësor.
“Asgjë, asgjë fare”, tha ajo.
Sa i përket armëve dhe sasisë së tritolit, familjarët pretendojnë se ato i ka vënë policia. Për motivet, kunata e Zhidrut thotë se e gjithë ngjarja ka ndodhur për shkak të një përplasje që ka pasur me një prej fqinjëve, për të cilin 71-vjeçari sipas saj ka pretenduar se është mbrojtur politikisht. Zhidru kishte 22 vite që ishte zhvendosur në Elbasan.
Ditën e djeshme RENEA ekzekutoi Lefter Zhidrun pas 5 orë negociatash. 71-vjeçari qëndronte në banesën e tij dhe hapi zjarr ndaj oficerëve të policisë. Ngjarja nisi rreth orës 13:20, në lagjen “11 Nëntori” në zonën e njohur si “Kthesa e Sarës”, kur 71-vjeçari u konfliktua me bashkëshorten, e cila njoftoi policinë. Pasi mbërriti policia, Zhidru u fut në banesë dhe nisi rezistencën e tij, duke hapur zjarr ndaj efektivëve.
Plumbat lanë të plagosur edhe dy të rinj, kalimtarë të rastit, fatmirësisht pa probleme për jetën. Për orë me radhë, policia u përpoq të negocionte me 71-vjeçarin që të dorëzohej, por pa sukses. Aksioni i RENEA-s për të ndërhyrë brenda banesës së ndodhi orës 18:00. 71-vjeçari qëlloi me armë gjatë këtij momenti, ndërsa RENEA u kundërpërgjigj.
Nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i vrarë Lefter Zhidru. Brenda banesës së 71-vjeçarit, RENEA gjeti sasi të konsiderueshme municioni luftarak dhe disa kallëpe tritol të lidhura me fitil zjarrpërcjellës.