Alket Hyseni: Kandidatët e PS do kalojnë në shumë filtra, jemi të hapur edhe për prurje jashtë strukturave
Deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni tha për Euronews Albania se procesi i përzgjedhjes së kandidatëve të ardhshëm për deputetë të PS do të jetë një proces i gjatë dhe i kujdesshëm ku secilit kandidat do t’i duhet të kalojë në shumë filtra. Kjo, sipas tij pasi Partia Socialiste është e vetmja alternativë ku shqiptarët i mbajnë sytë për zhvillimin e vendit.
Z. Hyseni nuk dha një datë të saktë për mbledhjen e Asamblesë së PS, që siç tha duke qenë një organizim masiv me shumë njerëz, do të mendohet me kujdes se si do të organizohet nisur nga gjendja e pandemisë.
“Zgjedhja jonë buron nga strukturat. Nuk është mendim personal i asnjë personi, por i strukturave të PS, zgjedhja e kandidatëve do të jetë një proces demokratik.
Mund të ketë kandidatura të reja që do të përzgjidhen në bazë të kritereve, që fillojnë nga ato ligjore dhe vazhdojnë me ato statutore që janë edhe më të avancuara.
Ato që përpiqen të bëjnë formalisht ndonjë parti tjetër, PS ka vite që i ka në statutin e saj, për çështje që kanë të bëjnë me integritetin moral, profesional dhe të pasurisë së kandidatëve”, tha deputeti i PS.
Teksa pranoi faktin se në të kaluarën këta filtra nuk kanë funksionuar gjithmonë, z. Hyseni theksoi se kjo është në radhë të parë përgjegjësia personale e secilit. Sipas tij, PS është e hapur të pranojë njerëz me integritet edhe jashtë strukturave të saj.
“Ka shkaktuar habi në media që vijnë njerëz që s’kanë lidhje me strukturat, por kjo është shprehje e partive të hapura. Sidomos kur partitë janë alternativë e vetme, ndaj duhet të shtrihen përtej strukturave. Sigurisht do të jenë njerëz që janë afër PS, me bindje të majta.
Jo kushdo është në gjendje të pranojë presionin dhe baltën që hidhte me familjen e tij kur merret me politikë, por këto janë rrethanat në Shqipëri.
Është krijuar një opinion negativ për ata që merren me politikë. Kjo nuk është pozitive, pasi kështu po largojmë njerëz për të cilët vendi ka nevojë”, tha deputeti socialist.