Kongresi, Rama: Dua 800 mijë vota për mandatin e tretë
Kryeministri Edi Rama shpalli sot ambicien për të fituar mandatin e tretë. Nga podiumi i Kongresit të PS, kreu i qeverisë tha se i duhen 800 mijë vota socialiste për një tjetër 4-vjeçar në qeverisjen e vendit.
“Dua 800 mijë vota për mandatin e tretë të PS. Është shumë e lehtë të thuhet, shumë e vështirë të bëhet, për më tepër kur në rrugën e 8 viteve deri në momentin që do të na duhet të kërkojmë 800 mijë vota, ka nevojë për të pranuar dhe për të kuptuar se duhet edhe më shumë energji. Ndërkohë që një pjesë e energjisë është konsumuar”, u shpreh Rama.
I pari i qeverisë tha se synimi është që ky mandat të mbyllet me një bilanc kuptimplotë por edhe me reforma për mandatin e tretë”.
Në dy mandatet që kemi marrë, në 2013 dhe 2017, kemi bërë më shumë reforma shtetbërëse se sa të gjitha qeveritë në këto 30 vite. Detyra jonë është ta mbyllim këtë mandat me një bilanc dhe program kuptim plotë për mandatin e tretë.
Nëse mandati i parë ishte për të hapur themelen, i dyti është për të shtrirë kantieret, i treti na duhet për ta vendosur Shqipërinë në një nivel tjetër si shtet dhe ekonomi. Kjo parti është shpirti patriotik i politikës shqiptare dhe fytyra europiane e Shqipërisë”, tha kryeministri.