Ish-kryetari i PD-së së Gjirokastrës: I kisha thënë Henrit kujdes se të urrejnë dhe do të godasin
Ish-kryetari i PD-së së Gjirokastrës, Roland Bejko, ka reaguar pas arrestimit të Henri Çilit.
Ai thotë se e kishte paralajmëruar se një ditë do ta godisnin, pasi nuk mund t’ia falnin origjinën e tij, ish-bllokistët.
“Déjà vu!
I thoja shpesh, me kujdes se të urrejnë, dhe nëse je bërë kaq pa lejen e tyre do të godasin herët a vonë, por dhe nëse je bërë me bekimin e tyre, prapë do ta hash se nuk ta falin origjinën, as “kapardisjen”.
Ti vjen nga periferia e provincës dhe ata nuk mund ta durojnë dot të bësh ato punë që për mirë apo për keq kanë qenë, janë, dhe do të jenë ekskluzivitete natyrale të elitës së Bllokut.
Nuk blihet me para as dashuria, as miqësia, as respekti,as qëndrueshmëria, as mirënjohja, as partneriteti, as suksesi, as e shkuara dhe as e ardhmja.
Çdo vlerë e blerë është e reme.
E njihte parimin e 4K-ve të cilat mendonte se i zotëronte, por ku të lënë ujqërit e vjetër avantazh se…, ato parime i kanë shpik për vete.
Duke i paguar, mendonte se do ti zotëronte. Ata që pagun më shumë “të duan fort” kur të kanë pranë, por tregojnë barsoleta me ty sapo kthen shpinën.
Kështu është kur injoron dhe lufton miqtë e vërtetë. Miqtë fallco në fund të lënë vetëm në rastin më të mirë, dhe në rastin më të keq, të japin një të shtyrë, fërkojnë duart e lëngëzojnë nga kënaqësia që “e hëngri provinciali, mirë ju bë”.
Si mund të pranonte Rama t’i dilte nga vatha, ku u fut vet a e futi nevoja, këtë po, kurrë nuk e morëm vesh…
Ju duket fatalitet?
E thotë një miku im i mençur referuar Frojdit, mos haro nga vjen dhe cili ke qenë deri në moshën 3-5 vjeçare.
Kjo është e vërteta e vetme në këtë rast, s’ka tjetër”, shkruan Bejko.