Greqia zgjeron hapësirën detare, Mitsotakis kërkon marrëveshje me Shqipërinë
Greqia kërkon që të përmbyllë marrëveshjen për demarkacionin e hapësirës detare me Shqipërinë sa më parë që të jetë e mundur. Për këtë, ministri i jashtëm, Nikos Dendias do të zhvillojë së shpejti një vizitë në Tiranë për të diskutuar me homologun shqiptar lidhur me këtë çështje.
Kjo është bërë e ditur nga vetë kryeministri, Kiriakos Mitsotakis, gjatë një fjalimi në parlament ku shpalosi me krenari dy akordet e përmbyllura me Italinë dhe Egjiptin lidhur me përcaktimin e Zonës Ekskluzive Ekonomike. Shefi i qeverisë së Athinës njoftoi se vendi ka përfituar një hapësirë prej 12 miljesh në detin Jon.
“Greqia po rritet. Edhe të tjerë e kanë thënë këtë, por ne jemi të vetmit që po e vendosim në zbatim. Prandaj do të procedojmë në një zonë detare, veçanërisht në atë të Jonit dhe ishujve përreth deri në kepin Tainaro të Peloponezit, për të ushtruar të drejtën tonë të padiskutueshme të sovranitetit, sipas ligjit të detit”, u shpreh Kyriakos Mitsotakis, kryeministër i Greqisë.
Mitsotakis shtoi se Dendias ka informuar homologët në Shqipëri dhe Itali lidhur me të drejtat që i kalojnë Greqisë për shfrytëzimin e kësaj hapësire detare. Ndërkohë, më herët ministri i Jashtëm grek konfirmoi një bisedë telefonike me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.
Sipas postimit të tij në Twitter, ata diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet në rajon. Telefonata e tij me Ramën vjen gjithashtu në një kohë kur marrëdhëniet e Greqisë me Turqinë janë mjaft të acaruara, ndërkohë që Shqipëria ruan një raport të veçantë me Ankaranë, ndërsa të treja vendet janë pjesë e NATO-s.