FOTO: Arrestimi i Henri Çilit, kush ishte Ibrahim Basha, si u vra në Lazarat
Ibrahim Basha u vra mëngjesin e 24 Qershorit 2015.
Një natë para vrasjes pati të shtëna me armë në Lazarat. Pas kërkesës për ndihmë nga policia lokale, në orët e mëngjesit dy autoblinda të forcave RENEA janë nisur nga Tirana dhe kanë mbërritur në hyrje të fshatit.
Dy blindat ndiqeshin nga një furgon me efektivë të RENEA-s.
Në furgon ndodheshin gjashtë efektivë. Në sediljen e parë të pasagjerit ka qenë Ibrahim Basha.
Drejt mjetit është hapur zjarr nga një distancë mendohet më shumë se 20 metra me armë snajper.
Plumbi ka kapur efektivin Ibrahim Basha në ballë, në lartësinë e vetullave.
I njëjti plumb tejshpues ka goditur në shpatull edhe efektivin Jetmir Isai dhe ka prekur tangjent kokën e Perlat Hamitit.
Vrasësi i Ibrahim Bashës ka qenë pas këtij muri në fotot më sipër, ka vendosur snajperin në këtë vrimë të hapur në të dhe ka qëlluar.
Më pas ai u identifikua si Arbion Aliko.
Bashkë me vëllanë dhe një grup të rinjsh ata kishin vendosur të hakmerreshin për ndërhyrjen e policisë kundër mbjelljes së kanabisit në Lazarat.
Ibrahim Basha ka qenë pjesë e Batalionit Special të Ushtrisë dhe numëronte disa misione në Afganistan.
Prej 6 muajsh para vrasjes ai ishte bërë pjesë e Forcave Speciale RENEA.
Më poshtë foto të efektivit të vrarë, marrë nga ish-profili i tij në FB:
Pas vrasjes së tij startoi një operacion i gjerë policor, në përfundim të të cilit u arrestuan në arrati vëllezërit Aliko.
Arbion Aliko u dënua më pas me burgim përjetë kurse vëllai i tij bashkëpunëtor me 20 vite.
Anëtarë të tjerë të grupit u dënuan deri në 15 vjet, disa mundën të arrratisen jashtë vendit, një prej tyre i dënuar në mungesë është deportuar në Rinas vetëm një vit më parë.
Arbion Aliko është duke e vuajtur dënimin përjetë në burgun e Drenovës.
Arrestimi i sotëm i botuesit Henri Çili lidhet pikërisht me Alikot.
Sipas prokurorëve që kanë lëshuar urdhërin e arrestit ai është përgjuar duke bërë pazar me babanë e Alikove dhe më pas ka kryer ndërhyrje dhe ndikim për ndryshimin e dënimeve për vëllezërit në fjalë.