Lajme të mira nga Kakavija, radha e makinave vetëm 800 metra
Prej disa ditësh situata në Kakavijë mbetet kaotike, për shkak të krijimit të radhëve të gjata të trafikut që shkuan deri në Jorgucat. Situata u rëndua edhe më tepër me ndarjen nga jeta të një djali 10-vjeçar, i cili u shtyp nga një ambulancë, e cila po transportonte drejt spitalit të Gjirokastrës një të sëmurë.
Por së fundmi lajme të mira mbërrijnë nga kjo pikë kufitare, pasi radha kilometrike e makinave është reduktuar vetëm në qindra metra.
Mesohet se radha e makinave nga pika kufitare është vetëm 800 metra, ndërsa kujtojmë se sot u arrit marrëveshja mes dy paleve asaj greke dhe shqiptare për kalimin e qytetarëve në radhë pa kërkuar testin e koronavirusit, deri në orën 22:00.
Nga ora 06:00 e mëngjesit të sotëm e deri në mbrëmje kanë kaluar kufirin 2031 shtetas, si dhe 837 mjete, ndërsa pritet të kalojnë edheë disa mjete deri në orën 22 kur kufiri do të mbyllet.
Nga dita e nesërme në kufi aplikohen rregulla të reja të diktuara nga shteti grek, të cilat vijojnë si më poshtë:
Policia e Shtetit rikujton të gjithë qytetarët që duan të udhëtojnë në drejtim të Greqisë, se nisur nga masat kufizuese për shkak të COVID-19, duke filluar nga ora 06:00 deri në orën 22:00 të çdo dite në vijim, për të hyrë në Republikën e Greqisë, nëpërmjet PKK Kakavije do të lejohet të kalojnë vetëm 750 shtetas në ditë, ndërsa nga PKK Kapshticë vetëm 300 shtetas në ditë.
Për të hyrë në Republikën e Greqisë prej mëngjesit të datës 17 gusht qytetarët duhet të kenë me vete:
✅ Certifikatën e kryerjes së testit COVID-19, jo më vonë së 72 orë nga dita e udhëtimit dhe rezultati të jetë NEGATIV;
✅ Testimi të jetë bërë nga autoriteti shtetëror (Instituti i Shëndetësisë) ose nga çdo spital apo klinikë e certifikuar dhe e njohur nga shteti;
✅ Certifikata të përmbajë të dhënat personale të personit, numrin e pasaportës ose të kartës greke, rezultatin negativ të testit, emrin e Institucionit ku është kryer testimi, adresën, numrin e telefonit, si dhe të jetë e përkthyer në gjuhën angleze;
✅ Do të lejohen të hyjnë në Republikën e Greqisë shtetasit që kanë leje qëndrimi greke ose shtetësi greke, punëtorët sezonal, si dhe çdo shtetas që ka marrë konfirmim nga autoriteti përkatës;
✅ Çdo shtetas që do të hyjë gjithashtu duhet të këtë plotësuar formularin PLF.
Sot, pas komunikimeve të pandërprera me homologët grekë është mundësuar që në PKK Kakavije të vijojë puna me ritëm duke u ardhur në ndihmë qytetarëve që janë në pritje në radhë, për të kaluar në shtetin grek.
Gjithashtu po pas komunikimeve intensive me homologët grekë, në këto momente në Kapshticë ka nisur puna normalisht e do të vijojë deri në orën 22:00 të mbrëmjes, ndërsa nga nesër në orën 06:00 të mëngjesit në të dyja pikat e kalimit do të aplikohen masat e raja anti-COVID.
Policia Kufitare apelon qytetarët që duan të udhëtojnë në drejtim të Greqisë që mos ndërmarrin udhëtime pa pasur me vete dokumentacionin e mësipërm, pasi Policia ka ngritur pika kontrolli në drejtim të Kakavijes si dhe në drejtim të Kapshticës.
Nuk do të lejohet asnjë qytetar që ka qëllim destinacionin final Greqinë të udhëtojë në drejtim të këtyre pikave pa pasur dokumentacionin e nevojshëm.