Saranda “fle” në orën 20:00! Pronarët e lokaleve të natës lutje qeverisë: Hapni muzikën ose falimentuam! Nuk është si në “Story”, ruajmë distancën
SARANDE – Në kulmin e sezonit turistik, Sarandën e gjen të boshatisur që në orën 20:00. Si asnjëherë më parë, klubet janë të kyçura dhe muzika është e ulur, një vendim ky i fundit i qeverisë për parandalimin e përhapjes së COVID që ende nuk e ka mbështetjen e operatorëve turistikë dhe biznesmenëve…Madje kundërshtia, arriti deri në protesta.
Atë që pronarët e lokaleve të natës në Sarandë kanë kryefjalë të kërkesave ndaj qeverisë, më shumë se sa një ultimatum, është një lutje: Rishikoni aktin normativ.
Jo vetëm nuk e kanë marrë veten nga goditja që pandemia i dha ekonomisë shqiptare në tërësi, por thonë se janë vetëm një hap larg falimentit.
“Ne thjesht bëjmë një lutje, si unë, si artistët, si pronarët e lokaleve, punonjësit e klubeve. Ideja është që të respektohet.
E vetmja lutje e jona është që të rishikohet edhe njëherë, të mblidhet edhe njëherë qeveria, ta rishikojë edhe njëherë, të paktën të hapet, të lirohet muzika, të vazhdojë ritmi siç ishte, sepse ne ishim duke marrë masat siç i kanë vendosur që në fillim, jemi kujdesur për distancimin social, jemi kujdesur për higjienën, jemi kujdesur për të gjithë njerëzit që të mos ketë grumbullime shumë të mëdha, pavarësisht se po ti shohësh nëpër video live apo nëpër story duket sikur po bëhet nami, por që nuk ka lidhje fare, sepse mania është gjithmonë që të tregohet sa më shumë.
Si ambient jo vetëm ne, por kudo ku kam njohje dhe bashkëpunime gjithmonë janë respektuar dhe vazhdojnë që të respektohen.
Lutja është që të rikthehet muzika dhe të merren masa drastike dhe masa të rrepta që edhe ne ti zbatojmë siç thotë Ministria e Shëndetësisë edhe qeveria, por edhe jeta të vazhdojë”, thotë njëri prej pronarëve të lokaleve në qytetin bregdetar të jugut, që klientët e vetëm pas orës 20.00 ka vetëm gazetarin dhe kameramanin e Report Tv.
Gazetarja: A po vijnë klientët si më përpara tani pas koronavirusit?
Pronari i lokalit: Jo, klientët si më parë nuk po vijnë dhe ata që vijnë thjesht vijnë me në mimikë shumë të keqe, të vjen keq po nuk kemi çfarë të bëjmë, se nuk e kemi në dorë ne. Kjo është një luftë për të gjithë, kështu që luftën neve duhet ta vazhdojmë derisa të dalim të fituar të gjithë. Kostoja ka ndryshuar shumë edhe financiarisht në biznes, pasi pjesa më e madhe e stafit vjen nga Tirana kështu që ne do të detyrohemi që ta përgjysmojmë, do të kthehen prapë tek shtëpia e tyre dhe për ata që do të qëndrojnë, do t’u përgjysmohen rrogat. Nëse kjo vazhdon për një kohë shumë të gjatë, kjo do të jetë një rënie shumë e madhe, do të jetë një krizë shumë e thellë. Nga ajo gjëja që ishim në dy muaj në pandemi, pastaj sikur po normalizohej prapë situata, tani u bë prapë një mbyllje tjetër dhe kjo mbyllja tjetër ishte e papritur dhe u çuditëm të gjithë. Nuk e dimë se çfarë do të ndodhë nëse kjo do të vazhdojë. Kjo do jetë një krizë shumë e thellë aq më tepër për ekonominë, për biznesin, aq më tepër për punonjësit dhe për të gjithë që i përkasin kësaj fushe. Me artistët anulimet kanë ardhur direkt. Por edhe kur këngëtarët kanë qenë të ftuar nuk është se kanë bërë namin, thjesht prapë janë lejuar aq njerëz sa është lejuar nga ligji. Kishte artistë që ftoheshin për të kënaqur aq pak publik sa ishte. Edhe çmimet e artistëve nuk ishin në atë nivel që kanë qenë. Kemi rënë dakord edhe me ambientet dhe janë përgjysmuar edhe çmimet.
Tre vitet e shkuara, e ka gjetur Sarandën nën gumëzhimin e jetës së natës, por kyr turist tashmë e sheh të vështirë të gjejë atmosferën që qyteti i dhuronte.
“Është viti i katërt që unë vij në Sarandë për të kaluar pushimet verore dhe po më bën një çudi mjaft të madhe pasi Saranda pa jetën e natës mund të thuhet se është një zero, për faktin sepse është ajo që i akumulon njerëzit dhe i bën ata të ndihen më mirë dhe më të lumtur për të shpenzuar të gjithë ato energjitë pozitive të akumuluara gjatë gjithë vitit, por siç shihet nga kjo gjendje që është krijuar nga Covid19 dhe nga masat të rrepta që ka vendosur shteti shqiptar, shikojmë që jeta e natës do të jetë jo shumë e lehtë për t’u zgjidhur”, shprehet një turist shqiptar në Sarandë.
Gazetarja: Ju dhe miqtë tuaj ku do të shkoni tani pa muzikë?
Turisti: Normalisht nuk kemi një zgjidhje, besoj se në shtëpi për pak. Nuk kemi një zgjidhje të dytë kështu që nuk e di ku mund të kërkohet një zgjidhje për të rikthyer edhe njëherë gjallërinë në këtë qytet që e ka pasur ndër vite.
Punonjësit sezonal janë ndër më të prekurit e kësaj situate pasi vendet e punës janë përgjysmuar për shkak të mungesës së turistëve.
“Kemi marrë një paralajmërim për shkurtimin e vendeve të punës po nuk e dimë se kush do të jetë i prekuri, unë apo disa kolegë të tjerë. Në fillim të situatës ishim mirë, ishim qetë tani jemi demoralizuar dhe nuk e dimë se si do të shkojë. Jemi të prekur të gjithë nga ky vendim”, shprehet një prej punonjësve në një lokal.