Ministrja e Arsimit takim me 10 maturantët me rezultatet më të larta, mes tyre Joner Nikolla i “Hasan Tahsinit”
Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Znj. Besa Shahini ka zhvilluar në ambientet e MASR një takim me 10 maturantët me rezultatet më të larta në Maturën Shtetërore 2020 në të gjithë vendin.
Në postimin e saj në rrjete sociale, Ministrja Shahini shprehet se “më la mbresë fakti se shumica donin të studionin mjekësinë dhe se pandemia COVID-19 nuk i kishte frikësuar, por i ka nxitur më tepër të orientohen drejt këtij profesioni human”.
“U gëzova që maturantët të cilët duan të studiojnë jashtë vendit janë të vendosur që pas studimeve të rikthehen në Shqipëri për të dhënë kontributin e tyre”, thekson gjithashtu znj. Shahini ndërsa nënvizon që ky fakt jep shpresë se e ardhmja do të jetë akoma më e mirë dhe me njerëz të tjerë të denjë për të shërbyer në vend.
Gjatë takimit të zhvilluar me Ministren Shahini, maturantët janë shprehur pozitivisht për reformat e ndërmarra në sistemin arsimor dhe kanë dhënë gjithashtu kritika apo sugjerime për gjërat që duhet përmirësuar më tutje.
“Suksese me zemër të gjithëve në çdo hap tuajin në vijim!”, mbyll postimin e saj Ministrja Shahini.