Sarandë, skafet dhe anijet me guida ditore
Nga Thoma Nika
Sportelet e guidave detare të turistëve të kësaj pranvere, kanë dalë përgjatë shetitores së Sarandës. Sepse udhëtimet detare tashmë janë të përditshme dhe ofrohen jo vetëm nga varkat e skafet turistike, pasi motorrët i kanë ndezur edhe anijet turistike, të kapaciteteve të mëdha.
Pranë banakëve që shërbejnë si biletari, gjenden prezantuesit e guidave, nga suksesi i të cilëve varet edhe shitja e tyre. Ata na thanë se tri javët e majiit nuk kanë qenë edhe aq të kënaqshme, edhe për shkak të ndryshimeve të motit, ndërkohë që më shumë udhëtime kanë realizuar gjatë prillit,por pritshmëritë janë për ngritje të shpejtë.
Mes shitësve të guidave lundruese, është edhe vajza nga Ukraina, që thotë se është e kënaqur me punën që bën.
Teksa rezervuan lundrimin e tyre për të nesërmen, Livia dhe Simona, dy vajza italiane ishin aq të kënaqura me ditët e tyre në Sarandë, sa para kamerës sonë bënë ftesën e tyre të sinqertë për të ardhur nga gjithë Europa në Shqipëri dhe Sarandë.
Ekranet e instaluar në tërë gjatësinë e shetitores janë një prezantim filmik i guidave që organizohen çdo ditë në drejtim të plazheve të virgjër të periferisë së Sarandës, si: Krorëza, Kakomeja, Plazhi i Ushtarit, Gjiri i Breshkave etj. Këtë pronovim, djemtë e vajzat e reja që pamë të shërbejnë, e plotësojnë duke zgjuar kuriozitetin e turistëve me anë të tregimit me mjete të teknologjisë digjitale dhe me komunikimin në disa gjuhë të huaja,
Mëngjeseve dhe mbrëmjeve sheh të shkëputen nga limani apo nga bankinat e ankorimit, skafe dhe anije, me grupe turistësh, që shijojnë shetitjet romantike mbrëmjeve nëpër Gjirin e Sarandës, shoqëruar nga tinguj muzikorë, apo udhëtimet nëpër atraksionet e bregdetit të jugut, gjatë ditës.