Sarandë, nis ndërhyrja për përmirësimin e plazheve

Në plazhet brenda qytetit të Sarandës, që shtrihen poshtë dhe përgjatë shetitores, nga porti deri në skaj të lungomares, po fshihen gjurmët e dimrit. Ndlëkohë që ato prej javësh kanë nisur të frekuentohen nga plazhistët, Bashkia ka nisur ndërhyrje përmirësuese të pamjes së tyre dhe të cilësisë së rërës.

Prej Plazhit të Ri deri tek Plazhi “Rinia”, çdo ditë bëhet nivelimi i sipërfaqes së tyre, me anë të skrepit dhe të makinave të tonazhit të rëndë, të cilat heqin rërën e nxjerrë tepër nga nivelimi dhe sjellin rërën e re, me të cilën pasurohen këto plazhe.

Burime nga ndërmarrja e shërbimeve në varësi të Bashkisë, bëjnë me dije se rëra e re vjen e pastër nga lumenjtë, që sigurohet nga firma të licencuara për këtë veprimtari.

Për këtë verë është përllogaritur që për pasurimin e plazheve, të përdoren 700 m3 rërë.

Nivelimi dhe pasurimi i rërës së plazheve publike në Sarandë, është një praktikë e përvitshme, që ndiqet në prag të çeljes zyrtare të sezonit të ri turistik.

Edhe këtë verë plazhet publike përgjatë shetitores në Sarandë, pritet që të jenë free për frekuentuesit, pa zhezlongë e çadra nga Bashkia. (Thoma Nika)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *