Mbyllet numërimi në 4 bashki të Gjirokastrës, Kumbaro: Fitore spektakolare e PS
Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro ka folur për mikrofonin e A2 CNN nga Gjirokastra duke thënë se procesi i numërimit të votave për subjektet politike ka përfunduar në 4 nga bashkitë e këtij qarku dhe fitorja e Partisë Socialiste është e thellë.
“Procesi shkoi në mënyrë shumë qytetare, shumë të mbarë. Ishte një nga fushatat model përsa i përket respektimit të qytetit, fshatit dhe turizmit. Fushatën e kemi konceptuar më shumë si një proces komunikimi, shkëmbimi emocionesh. Ja ku jemi sot në rezultatin final. Bashkia Tepelenë, Memaliaj, Këlcyrë dhe Libohovë e kanë mbyllur procesin e numërimi të votave për subjektet politike. PS është midis 58 dhe 68% fituese. Presim akoma numërimin në Gjirokastër dhe po mbyllet punë minutash Përmeti. Dropulli është në proces numërimi. Gjithçka po shkon shumë mirë. Rezultati është qartazi një fitore spektakolare për PS”, tha Kumbaro për A2 CNN.
E pyetur nëse gara e brendshme mes kandidatëve të PS ka ndihmuar në maksimizimin e votës për PS, Kumbaro tha: “Kompozimi i përbërjes së kandidatëve në qarkun e Gjirokastrës ka qenë i tillë që nëpërmjet garës, kandidatë të maksimizonin votën përtej asaj tradicionale për PS, duke plotësuar kontributet e njëri-tjetrit. Përveç Libohovës që ka përfunduar edhe numërimin e votave për kandidatë për deputetë do të presim që procesi të realizohet në bashkitë e tjera. Ne punojmë si skuadër dhe kjo është gjëja më e rëndësishme që kemi”.