Skafet turistike ja kanë nisur sezonit

Nga Thoma Nika

Dita e anijeve turistike ende nuk ka ardhur. Ato janë si “industria e rëndë” e sezonit për Sarandën. Tani është ora e skafeve me kapacitet të reduktuar. Administratorë të tyre na thonë se ata i kanë ndezur motorrët. Arqileja, Isufi e Mikeli, na thonë se në bordet e tyre ka kohë që shihen turistët e sezonit 2025, kryesisht të huaj.

Biletaritë kanë dalë në shetitore, së bashku me promocionin e ofertës së udhëtimeve turistike.
Blerina, një prej operatoreve të guidave lundruese, thotë se qysh tani në prill puna ka nisur mirë, me turistë nga bota. Aq sa u duhet të punojnë me dy turme për rezervim udhëtimesh.

Shetitjet me skafet turistikë të kapacitetit modest, mundëson eksplorimin e shpejtë të gjirit të Sarandës, apo të atraksioneve që jep lundrimi drejt Kakomesë, Krorëzës, apo Ishujve të Ksamilit, plazhit të Pasqyrave etj.

Skafistët këtë verë po i kushtojnë më shumë rëndësi lundrimit të sigurtë, deri dhe kompletimit me sallon dhe me nyje hidrosanitare.

Mikeli na tregon për salvaxhentet e siguruara për çdo udhëtar, por dhe për sallonin e WC që ka shtuar sivjet në skaf

Kjo është pamja më e vlerësuar dhe më rozë e këtij aktiviteti turistik. Pasi skafistët thonë se, kur ata po investohen për të rritur standartin e shërbimit, shohin që strukturat shtetërore, lëvizin ngadalë për zgjidhjen e kërkesave të biznesit të tyre.

Më së pari, Arqileja dhe Isufi flasin për hapësirën e limanit ku ankorojnë, hapësirë të cilën edhe sot më 2025, e ndajnë me mjetet e peshkimit, apo që licencat shtohen pa hesap.

Skafistët thonë se e njëjta dyndje drejt Sarandës po ndodh me anijet turistike, që, sipas tyre, po e prish tregun e lundrimeve turistike.
Në muajin maj, pritet që në biznesin e lundrimeve turistike të hyjnë edhe anijet turistike, pasi sezoni javë pas jave, po i afrohet fashës së lartë.

Vitin e kaluar, sipas burimeve bashkiake, u pajisën me leje aktiviteti turistik 9 mjete lundruese të mëdha, të tipit anije. Ndërkohë që flota e mjeteve të vogla shkon në 109, nga të cilat 58 motorra uji dhe 51 skafe turistike.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *