Sarandë, bllokohen 2 mjete lundrimi tek “3 ishujt” në Ksamil, policia: Gjobë 100 mijë lekë secila, ishin pa certifikatë të operatorit turistik

 

Policia e Vlorës ka bllokuar dhe gjobitur pronarët e 2 mjeteve lundruese që u gjendën në zonën “Tre Ishujt” në Ksamil, pa çertifikatë të operatorit turistik.

Pas denoncimit në media, shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Port Sarandë, gjatë kontrollit në terren dhe verifikimit, kanë konstatuar se dy mjetet lundruese, njëra gomone në pronësi të shtetasit Endri Memsuri dhe tjetra motoskaf plastik në pronësi të shtetasit Ronaldo Lika qarkullonin pa çertifikatën e operatorit turistik.
“Për të dyja mjetet u mor masë administrative në vlerën 100 000 lekë secili, pasi pronarët e tyre nuk dispononin dokumentacionin përkatës për të ushtruar aktivitetin si operator turistik në det. Gjithashtu, u bë bllokimi administrativ i mjeteve në SPK Port Sarandë”, thuhet në komunikatën zyrtare të policisë së Vlorës.
Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë siguron qytetarët dhe turistët se do të vijojë kontrollet dhe monitorimin e vijës bregdetare, me qëllim garantimin e rendit, sigurisë dhe respektimit të kuadrit ligjor në fushën e turizmit detar.
Ftojmë qytetarët të denoncojnë çdo shkelje apo veprim të paligjshëm që cenon sigurinë në zonat kufitare, përmes numrit 112”, përfundon komunikata e drejtorisë së policisë Vlorë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *