Një gjyshe peshkatare në Sarandë

Nga Thoma Nika

Të peshkuarit me grep buzë detit në Sarandë, është gjëja më e zakonshme që mund të shikosh gjatë një shetitjeje në pedonale. Ata që e bëjnë këtë, ose janë njerëz të detit, që tani zanatin e kthyer në pasion, e zhvillojnë në breg, ose mesoburra, që e ushtrojnë peshkimin me grep si hobi, gjatë orëve të tyre të lira.
Ndërsa fillua në duart e një gruaje, që me orë të tëra pret të vijë peshku në grepin e saj, është një befasi dhe sfidë ndaj burrave.

Po ja ku është Suzana, që nuk e ka fare për gajle, që, ashtu “burrash”, të zerë një kënd të qetë, buzë detit, të nxjerrë nga çanta rrotën e fillos e ushqimin e menduar se i pëlqen gjahut të saj dhe të provojë shansin e ditës.

– Është eksperiencë e bukur dhe gjëja më antistres, që të çlodh trurin- thotë Suzana.

I thotë këto, pa e hequr fillon nga dora dhe pa e hequr vëmendjen nga loja, që mund të bëjë peshku poshtë ujit, me grepin e saj.

Me një sy nga fillispanja e zhytur në det, Suzana flet si një eksperte e peshkimit. Ajo di mirë trashësitë e fillove, numrat e grepave dhe se me çfarë ushqimi ndillet në grep peshku e çfarë preferon oktapodi. Ka më shumë se 10 vjet që detit i merr jodin, po i merr edhe peshkun.

Më e veçanta e Suzana Terollit, është se ajo është dy herë gjyshe. Të katër fëmijët i ka të martuar e të rregulluar me familjet e tyre. Kujton se kur ishin fillimet e saj në gjuetinë e peshkimit, e kishin ca të zorshme. Por tani e shohin me simpati e ndodh që i vihen në krah, me vajza e me nipër.

Duke pritur me durim që peshku t’i vijë në grep, biseda me gjyshen peshkatare, shkon edhe te votimet dhe te premtimet, tek mosbesimi në politikën që bëhet, te pensionet që nuk dalin dhe tek vota personale, që nuk do ta lerë të digjet më 11 maj.

Megjithëtë, 64-vjeçarja Suzana Terolli e shikon jetën me optimizëm dhe e shijon atë. E shijon edhe përmes adrenalinës që i jep peshkimi me grep për disa orë në ditë. Edhe përmes shijes së peshkut të freskët, të zënë nga vetë ajo. Detit të Sarandës e të Ksamilit, gjyshja peshkatare i merr jo vetëm jodin e nevojshëm për shëndet të mirë, por edhe peshkun e oktapodin. Pa u mërzitur edhe kur ka raste që largohet duarbosh.

Sepse atë, bashkë me Agronin, burrin e saj pranë, do t’i gjesh sërish duke hedhur e mbledhur fillot e tyre, si një sport që u jep kënaqësi e pastaj ekonomi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *