Gratë në politikë, Çuçi: Situatë e përmbysur nga 15 vite më parë, PS ka rol domethënës

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste në qarkun Vlorë, Bledi Çuçi, zhvilloi një bashkëbisedim me disa gra e vajza, kryesisht të paangazhuara aktivisht në politikë, por kontributore në fusha të ndryshme dhe promotore të iniciativave me impakt ekonomik e kulturor. Bashkë me kandidatët për deputetë, Erjona Ismaili dhe Pirro Vengu, Çuçi mes të tjerash foli për rolin domethënës të Partisë Socialiste në përfshirjen e grave dhe vajzave në qeverisjen qëndrore e lokale.

“Unë mendoj që ne kemi bërë një përmbysje të krijimit të barazive të paktën drejt zhdukjes të gjithë barrierave që krijohen për shkak të ndarjeve gjinore më shumë se asnjë parti tjetër. Sot është një realitet tërësisht ndryshe nga çfarë ka qenë të paktën para 15 vitesh. Por nuk është vetëm kjo. Sepse ne nuk besojmë thjesht te numrat dhe gjëja që na bën krenarë është se sot ne nuk shohim thjesht të respektojmë numrin”, tha Çuçi.

Duke folur për listën e kandidatëve për deputetë të qarkut Vlorë, Çuçi theksoi se nuk e ka konsideruar atë listë thjesht si kompozim numrash.

“Eksperienca ime personale në përgatitjen e listës së kandidatëve për zgjedhjet e 11 majit, unë nuk kam parë detyrimisht në listë që duhet të jenë një burrë një grua. Unë kam marrë personalitetet e secilit në analizë dhe produkti ka qenë natyrishëm me përfaqësim 50% gjinor”, the Çuçi.

Duke kërkuar mbështetjen me votë për Partinë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit, ai tha se brenda mandatit tjetër PS do ta çojë Shqipërinë në Bashkimin Europian.

“Në 2027 nënshkruajmë kontratën me Brukselin dhe më pas vjen procesi politik i ratifikimit të anëtarësimit prej parlamenteve të të gjitha vendeve anëtar”, u shpreh drejtuesi politik i PS-së në qarkun Vlorë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *