Galeria Sarandë: Më shumë vizitorë të huaj në 100 ditë
E vendosur buzë shetitores, Galeria “Art Saranda” një aset i çmuar turistik për Sarandën, mbetet i tillë edhe në muajt paraprirës të sezonit veror.
Në 100 ditët e para të këtij viti, vizitorët më të veçantë dhe më të shumtët në numër, kanë qenë turistët e huaj. Mes tyre, drejtori i kësaj Galerie, Lefter Çeko, veçon turistët francezë, ata nga vendet nordike, si dhe nga vendet fqinje: Greqia, Italia, si dhe shumë gjermanë e spanjollë.
Sipas drejtorit Çeko, kanë qenë të organizuar në guidat që i sjellin në Sarandë, apo në vizita familjare, për ata që jetojnë si rezidentë në Sarandë.
Ajo çfarë veçohet se zgjon interesin e vizitorëve të huaj në këtë Galeri, janë punët në pikturë e skulpturë të autorëve që sjellin vepra të realizuara sipas parimeve të realizmit socialist, si dhe punë të viteve të fundit, me autorë të rrymës dhe teknikave bashkëkohore.
Galeria në Sarandë, funksionon prej 13 vitesh si një institucion arti për talentet më të afirmuar lokalë e kombëtarë.
Perveç ekspozitave të shumta individuale, në tri sallat e saj ndër vite kanë ekspozuar punimet e tyre, të realizuara nga disa koloni arti, deri edhe ndërkombëtare.
Kjo jetë e gjallë dhe e vazhdueshme arti, ka bërë që Galeria “Art Saranda” të jetë e përfshirë në guidat që u ofrohen turistëve vendas dhe të huaj. /Rtsh Gjirokastra/