‘Drejtësi për Peshkëpinë!’/ Protestë para SPAK, aktivistët kërkojnë rihapjen e hetimeve për masakrën për të cilën akuzohet Fredi Beleri
Një grup aktivistësh protestuan këtë të enjte para SPAK, duke kërkuar rihapjen e hetimeve për masakrën e Peshkëpisë, e shënuar më 10 Prill 1994, për të cilën akuzohet si i përfshirë edhe Fredi Beleri.
“Drejtësi për Peshkëpinë, Fatmir Shehu dhe Arsen Gjini “, “Jam gati të dëshmoj”, “SPAK! Të rihapen hetimet e masakrës së Peshkëpisë, që u mbyllën në mënyrë të turpshme nga gjyqtarë që ngelën jashtë nga vettingu”, “Ligji i luftës është i grekëve, dëshmorët të shqiptarëve”, “2 ushtarakë të vrarë, 3 të plagosur asnjë i ndëshkuar”, ishin disa nga pankartat që shfaqën para ambienteve të Prokurorisë së Posaçme.
Fredi Beleri është një ndër të akuzuarit për masakrën e Peshkëpisë, ngjarje e ndodhur më 10 Prill 1994, ku 7 persona të armatosur dhe me uniforma ushtrie sulmuan një repart ushtarak shqiptar në rrethin e Gjirokastrës e ku ranë dëshmorë ushtarët Fatmir Shehu dhe Arsen Gjini. Çështja u mbyll nga SPAK në 2021 për mungesë provash.